Nga Tedi Blushi
Unë isha i pranishëm në përplasjen e provokuar nga Erjon Braçe me protestuesit para Kryesisë së Kuvendit.
Çdo deputet duhet të mbajë përsipër koston e vendimeve, qëndrimeve dhe votave të tij.
Për të qenë i sinqertë, nuk tentova të ndërhyja për ta ndalur përshkallëzimin e situatës.
Jo sepse jam dakord me dhunën. Përkundrazi, nuk jam dhe nuk do të jem kurrë pro dhunës, ndaj kujtdo.
Por sepse në atë moment mendova: A e ka kapur ndonjëherë ky deputet Edi Ramën për krahu për t’i thënë: “Boll! Boll me vjedhjen! Boll me krimin! Boll me dhunën ndaj shqiptarëve! Boll me ligje që plaçkisin Shqipërinë! Boll me vendime shpopulluan vendin!"
A ka bërë ndonjëherë diçka konkrete Erjon Braçe për të ndalur kapjen e shtetit nga mafia, makinerinë kriminale të padrejtësisë, abuzimit dhe dhunës?
Jo!
Pavarësisht ndonjë retorike dhe kritikave boshe, në momentet kur duhej të mbante një qëndrim të qartë dhe të vendosur, Erjon Braçe ka zgjedhur të qëndrojë në krah të Edi Ramës dhe të votojë pro tij.
Prandaj isha dhe jam me protestuesit dhe çdo shqiptar të revoltuar.
Sepse çdo deputet duhet të kuptojë se nuk mund të kërkojë përgjegjësi vetëm nga të tjerët. Përgjegjësia fillon edhe nga vetja. Nga qëndrimet që mban, nga vendimet që merr dhe nga votat që hedh.
Unë nuk justifikoj dhunën. As sot, as nesër, ndaj askujt.
Por besoj fort në parimin se në një demokraci, secili duhet të përgjigjet për atë që ka bërë dhe për atë që ka zgjedhur të mos bëjë.
Dhe në fund, aman, secili do të përgjigjet një ditë para shqiptarëve.
© SYRI.net