
Një tjetër ndryshim i propozuar në draftin e Kodit të Procedurës Penale lidhet me kompetencat e Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ndryshimi prek nenin 75 dhe parashikon kufizimin e kompetencës së GJKKO-së për gjykimin e prokurorëve të SPAK dhe gjyqtarëve të kësaj gjykate.
Sipas formulimit të ri, GJKKO do të jetë kompetente të gjykojë prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO-së vetëm për vepra penale që lidhen me terrorizmin dhe bandat e armatosura, korrupsionin, përfitimin e paligjshëm ose mosdeklarimin e pasurisë, si dhe vepra të tjera të lidhura me krimin e organizuar.
Në draft propozohet shtimi i një paragrafi në nenin 75/a, ku përcaktohet se GJKKO nuk është kompetente për të gjykuar akuzat ndaj një gjyqtari të saj ose një prokurori të SPAK, kur veprat penale për të cilat akuzohen janë jashtë kategorive të përcaktuara në këtë nen.
Në këto raste, kompetenca do t’u kalojë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm dhe do të zbatohen rregullat e Kodit të Procedurës Penale për kompetencën tokësore.
Në praktikë, nëse një prokuror i SPAK ose gjyqtar i GJKKO-së dyshohet për një vepër penale që nuk përfshihet në kategoritë e përcaktuara nga drafti, hetimi do të kryhet nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, ndërsa çështja do të gjykohet nga gjykatat e zakonshme./Versus.al

