
Shkurtohen afatet e paraburgimit për veprat penale që parashikojnë dënim deri në 6 vite burgim. Ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale parashikojnë që paraburgimi, përfshirë edhe arrestin në shtëpi, të shuhet brenda 3 muajsh nëse prokuroria nuk e ka dërguar çështjen për gjykim.
Sipas nenit të ri 263 të Kodit, për veprat penale që dënohen në maksimum deri në 6 vite burgim, paraburgimi shuhet nëse brenda 3 muajve çështja nuk është dërguar në gjykatë.
Ndërkohë, për veprat që parashikojnë dënim nga 6 deri në 10 vite burgim, afati mbetet 6 muaj, ndërsa për veprat me dënim mbi 10 vite burgim vijon të jetë 1 vit.
Ndryshimet prekin edhe kohëzgjatjen maksimale të paraburgimit dhe arrestit në shtëpi deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Për veprat që dënohen në maksimum me deri në 6 vite burgim, afati maksimal i paraburgimit zbret nga 2 vite në 1 vit e 4 muaj.
Për personat e akuzuar për vepra që parashikojnë dënim nga 6 deri në 10 vite burgim, afati maksimal mbetet 2 vite.
Ndërsa për veprat më të rënda, me dënim nga 10 vite burgim deri në burgim të përjetshëm, afati maksimal i paraburgimit mbetet 3 vite.
Ndryshimet synojnë shkurtimin e afateve të mbajtjes në paraburgim, veçanërisht për veprat penale me rrezikshmëri më të ulët, duke lidhur kohëzgjatjen e masës së sigurisë edhe me momentin e dërgimit të çështjes për gjykim./Versus.al

