Pritja për ambasadorin e ri amerikan Eric Wendt në Tiranë, Berisha mungon në ceremoni
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë zhvilloi mbrëmjen e sotme pritjen e mirëseardhjes për ambasadorin e ri amerikan, Eric Wendt. Aktiviteti u mbajt në ambientet e një hoteli në zonën e ish-Bllokut, ku morën pjesë rreth 130 të ftuar. Mes të pranishmëve ishte edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Në listën e të ftuarve kishte përfaqësues nga të dyja kampet politike, zyrtarë të lartë të shtetit, ministra, drejtues të institucioneve të drejtësisë, përfaqësues të fushave të ndryshme, si dhe persona të njohur për marrëdhëniet e tyre me Ambasadën Amerikane në Tiranë.
Në këtë pritje nuk ishte i ftuar kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, një fakt që ishte bërë i ditur edhe më herët. Megjithatë, në ambientet e pritjes u panë deputeti Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD-së, dhe Oerd Bylykbashi. Nga kampi socialist ishte i ftuar edhe kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, i cili nuk mori pjesë për shkak se ndodhet në Finlandë. Në mesin e të ftuarve ishin edhe ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, së bashku me Bledi Çuçin, kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen.
Në pritje mori pjesë edhe ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, një prej zyrtarëve të parë që zhvilloi takim me ambasadorin Wendt pas mbërritjes së tij në Tiranë. Gjatë mbrëmjes vijuan të mbërrinin edhe drejtues të tjerë të institucioneve publike, mes tyre ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ministri i Kulturës, Blendi Gonxhe, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, si dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.
Në aktivitet ishin të pranishëm edhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Mes tyre ishte Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi. Pritja shërbeu si një nga aktivitetet e para publike të ambasadorit Eric Wendt pas marrjes së detyrës në Tiranë, duke mbledhur në të njëjtin ambient përfaqësues të politikës, institucioneve shtetërore, drejtësisë dhe komuniteteve të ndryshme.

