125 ditë protestë, Arben Kola: BKH e SPAK zbarkuan në krahun e djathtë të mafias së Ramës
Aktivisti Arben Kola ka reaguar pas kontrolleve të zhvilluara nga BKH dhe SPAK në banesën e Ron Yeffet, në kuadër të hetimeve që lidhen me kompaninë shtetërore “KAYO”. Në deklaratën e tij, Kola e lidhi aksionin e institucioneve të drejtësisë me protestat që kanë vijuar për 125 net radhazi. Ai kërkoi që hetimet të zgjerohen edhe ndaj personave të tjerë, duke përmendur emrat e Ron Yeffet, ish-drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni.
“125 netë vetëdije qytetare dhe kombëtare. BKH e SPAK zbarkuan në krahun e djathtë të mafias së Ramës, Ron Yeffet. Kontrabandë armësh. Rastësi apo jo? Kjo ndodh pikërisht me ardhjen e ambasadorit të ri amerikan”, deklaroi Kola.
Aktivisti ngriti gjithashtu pretendime lidhur me veprimtarinë e disa prej personave që përmendi, duke kërkuar që institucionet e drejtësisë të verifikojnë çdo përgjegjësi të mundshme. Për ish-kreun e SHISH, Vlora Hyseni, Kola bëri akuza lidhur me ndikimin e pretenduar të veprimtarisë së saj në imazhin e Shqipërisë jashtë vendit.
Në vijim të deklaratës, Kola kritikoi edhe persona që kanë sulmuar protestuesit dhe median gjatë tubimeve. Ai i bëri thirrje SPAK dhe BKH që hetimet të vijojnë dhe të përfshijnë çdo person për të cilin mund të ketë indicie apo prova që lidhen me çështjen.

