Investimet në Sazan dhe Zvërnec, Saro: S’ka ende marrëveshje, do të ketë transparencë për publikun
Sazani dhe Zvërneci mbeten në fokus të projekteve të investimeve në turizëm, ndërsa proceset për të dyja zonat vijojnë në faza të ndryshme.
Laura Saro, drejtuese e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, tha në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi se për Sazanin vijojnë negociatat, ndërsa për Zvërnecin pritet vlerësimi i studimit mjedisor dhe planit arkitekturor.
Ajo tha se vendimmarrja për Zvërnecin do të varet nga përputhja e projektit me kriteret mjedisore dhe ligjore.
Krahas turizmit, Saro tha se synimi është diversifikimi i ekonomisë shqiptare, me fokus edhe te energjia, bujqësia dhe industria.
INTERVISTA E PLOTË:
Si mund t’i kualifikojmë sot? Në çfarë niveli i konsideroni aktualisht investimet për turizmin në Shqipëri?
Laura Saro: Investimet në fushën e turizmit normalisht që mbeten shtylla kryesore që zë vendin më të madh të investimeve të huaja dhe jo vetëm në vendin tonë. Pikërisht prandaj edhe ky forum erdhi si nevojë dhe si derivat i strategjisë së turizmit, i nevojës së tregut, i nevojës së investitorëve në fushën e turizmit, ashtu si dhe i interesit tanimë të të gjitha brandeve të hotelerisë botërore për të qenë edhe ata pjesë e transformimit të turizmit të Shqipërisë.
Dhe çfarë mekanizmash e nxitjesh të veçanta promovon ose paraqet sot Shqipëria për t’i tërhequr sa më shumë investimet e huaja?
Laura Saro: Ajo çfarë nuk do ta kanalizoja më shumë se incentivat specifike, as ato fiskale, është më shumë se origjinaliteti dhe ajo çfarë ne po përjetojmë, që është një momentum për sa i përket turizmit edhe jo vetëm. Ata e kuptojnë fare qartë normalisht që Shqipëria është një ekonomi e vogël, por efekti që mund të kenë investime të tilla në një ekonomi të vogël, fleksibile dhe kompakte është akoma më i madh se në një ekonomi të madhe nga e cila ata vijnë. U bënë tanimë pothuajse 5-6 vite që jemi në një marrëdhënie le të themi të drejtpërdrejtë me brandet, edhe duket që tani është momenti që janë bindur dhe po hyjnë në ndërveprim shumë konkret me investitorët tanë. Ashtu si edhe normalisht janë pjekur kushtet e investitorëve dhe të sipërmarrësve shqiptarë për të vlerësuar dhe për të kuptuar që ka nevojë për ekselencën, për standardet, për ekspertizën, për atë çka ata sjellin, në mënyrë që pastaj të bëhet edhe kombinimi i duhur, të ruajmë origjinalitetin, atë çfarë na përfaqëson, por ta veshim këtë me standard e me ekselencë, që normalisht i gjithë zhvillimi dhe efekti të ngelet po në vendin tonë, në Shqipëri.
Për qeverinë, për juve që jeni autoritet i zhvillimit të investimeve dhe i turizmit, maja e diamantit e investimeve në fushën e turizmit do të jetë ai që pritet të jetë ose mund të jetë potencialisht në Zvërnec dhe në Sazan. Ndërkohë që dimë që disa grupe, disa aktivistë brenda dhe jashtë vendit janë kundër kësaj ideje. Çfarë të reje mund të na sillni ju në lidhje me këtë çështje?
Laura Saro: Është një proces, ashtu siç është thënë shumë shpesh nga qeveria, për sa i përket Sazanit, është një proces negociatash i cili do ta kategorizoja më shumë nga ato çfarë ndalojnë, harta e ndalimeve dhe e kufizimeve që siguron që ai investim të jetë brenda parametrave mjedisorë, ligjorë, ashtu si dhe me raportin kosto-përfitim në favor të shtetit shqiptar. Kështu që është një proces negociatash që do të duhet ta shohim se si ecën, si evoluon, dhe normalisht që e gjithë audienca do të jetë në dijeni të çdo hapi të ndërmarrë. Për investimin e Sazanit, sapo kemi pasur një vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike, i cili ka qenë i hapur për publikun. Dy ditë pasi është marrë vendimmarrja, ka qenë online, lehtësisht i aksesueshëm nga të gjithë, një vendim prej gati njëzet faqesh ku është e parashtruar e gjithë matrica dhe plani i veprimit se çfarë do të ndodhë dhe se ku ndodhemi me këtë proces. Kështu që është shumë herët për të materializuar dhe për të kuantifikuar le të themi efektin apo marrëveshjen, sepse ende nuk ka një të tillë. Kurse për Zvërnecin, ashtu siç edhe është thënë, jemi në pritje të vlerësimit të studimit mjedisor, ashtu si dhe të planit arkitekturor që shkon në kohezion me këtë vlerësim mjedisor. Kështu që të dyja janë në proces dhe do të jemi patjetër duke ndjekur një strategji të mirëfilltë, shumë transparente për publikun, ku do të ndiqet hap pas hapi atë çfarë bëhet, e vërtetuar me fakte, me vendime dhe me procese.
Nëse realizohen këto dy ide, Zvërneci dhe Sazani, qeveria ka bërë të ditur e ka njoftuar se bëhet fjalë për investime që arrijnë disa miliarda euro. Përveç kësaj, ju si Agjenci e Zhvillimit të Investimeve ku jeni të fokusuar? Çfarë prisni? Cilat janë investimet më të afërta e të rëndësishme që mund të hyjnë në Shqipëri?
Laura Saro: Ne duam të diversifikojmë ekonominë. Nuk duam të mbetemi, ashtu si dhe qeveria, vetëm te turizmi. Kemi energjinë, kemi bujqësinë, kemi industrinë, duam t’i japim shumë zë edhe industrisë. Kështu që njëherazi është duke u punuar për të gjithë sektorët, për të diversifikuar ekonominë dhe për të sjellë një ofertë, pse jo edhe për të gjallëruar ato sektorë që kanë mbetur disi në hije, qoftë edhe nga interesi i sipërmarrjeve. Kështu që në këtë drejtim jemi duke punuar intensivisht kundrejt edhe sektorëve të tjerë, sepse duket që sektori i turizmit është diçka që sipërmarrësit i mëshojnë vetë dhe ne thjesht ndjekim ritmin e i ndihmojmë ata me platforma si ajo që ishte sot, që u shkon drejtpërdrejt në ndihmë dhe me projekte konkrete. Pastaj, kur flasim për sektorët e tjerë, jemi duke punuar në mënyrë proaktive për të bërë të mundur që t’i gjallërojmë dhe që zhvillimi ekonomik të mbetet në vend.
/vizionplus.tv




