AKTUALITET /

Zvarritet zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, reagon Shoqata e Prokurorëve: KLP të zhbllokojë procesin

Që prej 28 gushtit, KLP ka zhvilluar shtatë mbledhje plenare pa arritur të shqyrtojë kërkesat e dy kandidatëve për përjashtimin e anëtarëve të këshillit nga procesi.

Shkruar nga Versus

Zvarritet zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, reagon Shoqata e

Procesi për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm vijon të jetë i bllokuar, për shkak të kërkesave të njëpasnjëshme për përjashtimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) nga procedura e përzgjedhjes. Situata ka ngritur shqetësime te trupa e prokurorëve, të cilët kërkojnë marrjen e masave për kapërcimin e ngërçit.

Që prej 28 gushtit, KLP ka zhvilluar shtatë mbledhje plenare pa arritur të shqyrtojë kërkesat e dy kandidatëve për përjashtimin e anëtarëve të këshillit nga procesi.

Ngërçi nisi pas kërkesës së kandidatit Ylli Pjetërnikaj për përjashtimin e anëtarit Vatë Staka, me pretendimin se ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit. Më pas, edhe anëtarë të tjerë të KLP-së paraqitën kërkesa për përjashtimin e njëri-tjetrit, duke penguar në disa mbledhje krijimin e kuorumit të nevojshëm për vendimmarrje.

Në mbledhjen plenare të 2 tetorit, KLP pranoi me shumicë votash kërkesën e Vatë Stakës për përjashtimin e anëtarit Zeqir Hoda nga shqyrtimi i kërkesës së Pjetërnikajt dhe nga procedura e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm.

Përveç Pjetërnikajt, edhe kandidatja Arta Marku ka kërkuar përjashtimin e një anëtari të KLP-së, në këtë rast të Sokol Stojanit. Këshilli ka njoftuar se mbledhja e radhës, ku pritet të shqyrtohen këto kërkesa, do të zhvillohet më 7 tetor.

Për situatën ka reaguar Shoqata e Prokurorëve, e cila e cilëson shqetësuese zvarritjen e procesit dhe kërkon që çështja të zgjidhet pa vonesa të mëtejshme.

“Shoqata e Prokurorëve vlerëson se situata e krijuar është shqetësuese dhe kërkon marrjen e masave të përshtatshme, në përputhje me kuadrin kushtetues dhe ligjor, pa vonesa të mëtejshme. Kërkesat për përjashtim duhen shqyrtuar me seriozitet, sepse paanshmëria është kusht thelbësor për besueshmërinë e procesit. Por kjo garanci procedurale nuk duhet të shndërrohet në një cikël kërkesash të ndërsjella që paralizon vendimmarrjen e KLP-së”, thuhet në qëndrimin e shoqatës, të bërë publik në përgjigje të pyetjeve të BIRN.

Shoqata thekson se tejkalimi i afateve dhe bllokimi i procedurës cenojnë rregullsinë dhe besueshmërinë e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Sipas saj, KLP duhet të marrë vendime të arsyetuara dhe transparente për kërkesat e paraqitura, duke garantuar njëkohësisht paanshmërinë dhe vijimin normal të procesit.

“Pa paragjykuar themelin e kërkesave, zgjatja e këtij ngërçi dëmton autoritetin e KLP-së, funksionimin normal të sistemit prokurorial, si dhe besimin e opinionit publik te sistemi i drejtësisë në tërësi”, thekson Shoqata e Prokurorëve.

Për shkak të kërkesave të njëpasnjëshme për përjashtim, janë tejkaluar edhe afatet e verifikimit të kandidatëve. Në mbledhjen e 18 shtatorit, KLP vendosi që deklaratat e pasurisë së pesë kandidatëve t’i dërgoheshin Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) për verifikim.

Ndërkohë, mandati shtatëvjeçar i Prokurorit të Përgjithshëm aktual, Olsian Çela, përfundon më 5 dhjetor. Sipas Kushtetutës, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi me tri të pestat e votave, mes tre kandidatëve të propozuar nga KLP, për një mandat shtatëvjeçar pa të drejtë riemërimi.

Në garë për këtë post janë pesë kandidatë: Adnan Xholi, prokuror në SPAK; Arta Marku, prokurore pranë Prokurorisë së Apelit Tiranë; Fatjona Memçaj, prokurore pranë Eurojust; Rovena Zoto, prokurore në Tiranë; dhe Ylli Pjetërnikaj, pedagog i brendshëm pranë Shkollës së Magjistraturës.

KLP pritet të vijojë shqyrtimin e kërkesave për përjashtim në mbledhjen e 7 tetorit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të arrihet zhbllokimi i procesit për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

Poll