Berisha për zgjedhjet lokale: Ftoj protestuesit të propozojnë kandidatë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ftoi protestuesit që prej më shumë se katër muajsh mblidhen para Kryeministrisë të propozojnë kandidatë për zgjedhjet lokale, duke premtuar se ai do t’i mbështesë.
Nga Korça, gjatë një takimi me demokratët, deklaroi se PD-ja do të përpiqet të krijojë aleancën më të gjerë në betejën e ardhshme elektorale.
“Si parti, ne po përpiqemi të krijojmë një front të gjerë opozitar dhe do të pranojmë propozimet për kandidatë. Unë ftoj dhe përfaqësuesit e protestës, jemi të gatshëm të marrim parasysh çdo propozim të tyre”, u shpreh kryedemokrati.
Berisha deklaroi se mbështet idenë që zgjedhjet lokale të bëhen me dy raunde.
“Jam dakord për balotazhin për zgjedhjet lokale. Ai që do të zgjidhet duhet të marrë shumicën absolute të zgjedhësve”, vijoi më tej Berisha.
Kryetari i PD-së, Berisha, ftoi demokratët të bëjnë gjithçka për t’u organizuar dhe për të fituar betejën kundër Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.
“Fytyra e Edi Ramës është fytyra e Lubia Ballukut, Ergys Agasit, Vlora Hysenit e të gjithëve me radhë”, tha Berisha.
Të shtunën, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të zhvillojë një takim me aleatët për të nisur organizimin për zgjedhjet lokale.




