Ka përfunduar pa marrëveshje takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Takimi, i zhvilluar më 2 tetor, zgjati rreth dy orë dhe në fokus kishte situatën politike, çështjen e Gjykatës Speciale në Hagë dhe zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Pas takimit, Hamza tha se palët diskutuan për procesin gjyqësor në Hagë, ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe zgjedhjen e presidentit.
“Biseduam për situatën aktuale politike që ka të bëjë me procesin në Hagë, me nevojën që ligji të procedohet dhe aprovohet në Kuvend, dhe tema zgjedhja e presidentit”, deklaroi Hamza.
Kreu i PDK-së theksoi se për partinë e tij prioritet mbetet miratimi i ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa diskutimi për presidentin, sipas tij, mund të vijojë pas përfundimit të këtij procesi.
“Është nevojë dhe domosdoshmëri aprovimi i ligjit për Specialen dhe pastaj ne jemi të hapur të diskutojmë për presidentin”, tha Hamza.
Ai konfirmoi se deri tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje me Kurtin për temat e diskutuara, por la të hapur mundësinë e takimeve të tjera.
“Nuk ka marrëveshje deri më tani për temat për të cilat kemi biseduar. Është e mundshme që kemi takime edhe ditëve në vijim”, u shpreh ai.
Takimi ishte zhvilluar në një kohë kur afati për zgjedhjen e presidentit të ri po afron. Kuvendi i Kosovës ka kohë deri më 6 tetor për të zgjedhur presidentin. Nëse zgjedhja nuk realizohet brenda afatit kushtetues, Kosova shkon në zgjedhje të reja.
Çështja e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara ka qenë prej ditësh një nga temat kryesore në diskutimet mes partive politike. PDK-ja ka lidhur mbështetjen për procesin e zgjedhjes së presidentit me procedimin e këtyre ndryshimeve, ndërsa Qeveria ka qenë në pritje të opinionit ligjor nga Ministria e Drejtësisë.

