AKTUALITET /

GJKKO u vendosi gjoba avokatëve për bojkotin, katër mbrojtës ligjorë e ankimojnë

Avokatët Arben Peçi, Dorian Matlija, Gjon Kodra dhe Eduart Qehaja kanë kërkuar revokimin e masave, duke argumentuar se mungesat e tyre nuk kanë ardhur për arsye individuale

Shkruar nga Versus

GJKKO u vendosi gjoba avokatëve për bojkotin, katër mbrojtës

Katër avokatë kanë kundërshtuar ligjërisht gjobat e vendosura nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pas mungesës së tyre në seancat gjyqësore, në kuadër të bojkotit të vendosur nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Avokatët Arben Peçi, Dorian Matlija, Gjon Kodra dhe Eduart Qehaja kanë kërkuar revokimin e masave, duke argumentuar se mungesat e tyre nuk kanë ardhur për arsye individuale, por si pjesë e qëndrimit kolektiv të avokatisë.

Bojkoti është ndërmarrë në shenjë kundërshtimi ndaj rregullores së re të GJKKO-së, e cila kufizon futjen e telefonave celularë në ambientet e gjykatës.

Për shkak të bojkotit, prej 9 shtatorit një sërë seancash gjyqësore në GJKKO janë shtyrë, duke prekur edhe dosje të rëndësishme që lidhen me persona të politikës dhe krimit të organizuar.

Për mungesat në seanca, gjykata ka vendosur gjoba që variojnë nga 5 deri në 10 mijë lekë për avokatët.

Një nga rastet e fundit ishte seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku gjyqtarja Elsa Ulliri vendosi gjobë prej 10 mijë lekësh për avokatët, ndërsa pezulloi edhe afatet e paraburgimit për Veliajn.

Bojkoti ka sjellë pasoja edhe për të pandehurit, pasi shtyrja e seancave ka ndikuar në vijimin e proceseve gjyqësore. Në raste të caktuara, situata ka prekur edhe afatet e paraburgimit dhe shqyrtimin në kohë të kërkesave për ndryshimin e masave të sigurisë./Versus.al

Poll