AKTUALITET /

I dënuar për rreth 50 vepra penale në Britani, shqiptari i shpëton dëbimit drejt Kosovës

Sipas “Daily Mail”, bëhet fjalë për Avdi Alijan, i cili mbërriti ilegalisht në Britani në moshën 14-vjeçare, në vitin 2002, pasi udhëtoi i fshehur në pjesën e pasme të një kamioni.

Shkruar nga Versus

I dënuar për rreth 50 vepra penale në Britani, shqiptari i

Një 39-vjeçar shqiptar, i dënuar për rreth 50 vepra penale në Britani, ka fituar apelin kundër dëbimit drejt Kosovës. Gjykata britanike e emigracionit vlerësoi se kthimi i tij mund ta ekspozonte ndaj trajtimit çnjerëzor ose degradues, për shkak të përkatësisë së tij rome dhe pasigurisë mbi shtetësinë.

Sipas “Daily Mail”, bëhet fjalë për Avdi Alijan, i cili mbërriti ilegalisht në Britani në moshën 14-vjeçare, në vitin 2002, pasi udhëtoi i fshehur në pjesën e pasme të një kamioni.

Gjatë viteve të qëndrimit në Britani, Alija krijoi një rekord të gjatë kriminal, me rreth 50 vepra penale. Mes tyre janë vjedhje, grabitje, posedim kokaine, si dhe drejtim automjeti në gjendje të dehur ose nën efektin e drogës.

Një prej rasteve më të rënda lidhet me një pengmarrje në vitin 2018. Sipas vendimit gjyqësor, Alija ishte pjesë e një grupi që mori me forcë një person, e futi në një automjet nën kërcënimin e thikës dhe më pas e çoi në banesën e tij.

Viktima u mbajt aty për rreth katër orë e gjysmë, u dhunua dhe u kërcënua se do të goditej me thikë dhe do t’i hidhej ujë i valë nëse nuk paguante shumën prej 50 mijë paundësh.

Ai arriti të arratisej duke thyer një dritare dopio-xham dhe duke u hedhur nga kati i dytë i banesës.

Gjykata kishte vlerësuar se Alija kishte luajtur rol të rëndësishëm në pengmarrje, pasi kishte lejuar që banesa e tij të përdorej si vendi ku viktima mbahej i izoluar. Për këtë ngjarje, ai u dënua me 9 vite burg për burgosje të paligjshme, si dhe një vit tjetër për plagosje të rëndë.

Në mars 2022, ministrja e atëhershme britanike e Brendshme, Priti Patel, urdhëroi dëbimin e tij, duke e konsideruar rrezik për komunitetin.

Alija e kundërshtoi vendimin në gjykatë, duke iu referuar Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Apeli u shqyrtua sërish më 29 shtator nga gjyqtari i emigracionit Ian Boyes, në një kohë kur 39-vjeçari kishte përfunduar dënimin me burg dhe ishte liruar me kusht./Versus.al

Poll