Futbollisti i Manchester Cityt dhe kombëtares norvegjeze, Erling Haaland, ka ngritur padi ndaj kompanisë ajrore Norwegian Air Shuttle ASA, pas përdorimit të modelit të tij karakteristik të flokëve në një reklamë.
Sipas raportimeve të mediave britanike, kompania kishte publikuar gjatë Kupës së Botës një reklamë ku në një foto të një aeroplani ishte vendosur përmes fotomontazhit bishti karakteristik i flokëve të Haaland. Në reklamë shfaqej edhe mbishkrimi: “Nuk jemi ndjerë kurrë më norvegjezë”.
Reklama u publikua në rrjetet sociale të kompanisë, por më pas u hoq. Haaland është i njohur për modelin e tij të veçantë të flokëve, i cili prej vitesh është bërë pjesë e imazhit të tij si te Manchester City, ashtu edhe te kombëtarja norvegjeze. Në fillim të këtij sezoni, sulmuesi vendosi të ndryshojë pamjen dhe të heqë bishtin e flokëve.

Nga ana e Norwegian Air Shuttle, zëdhënësja Catharina Solli ka shprehur habinë për faktin që çështja ka përfunduar në gjykatë.
“Është e vështirë për ne të kuptojmë pse përfunduam në gjykatë. Si pothuajse të gjithë të tjerët në Norvegji, ne bëmë tifo për ekipin kombëtar gjatë verës. E bëmë këtë përmes disa postimeve spontane të frymëzuara nga trendet në mediat sociale”, tha Solli.
Ajo shtoi se kompania i vjen keq që fushata reklamuese ka çuar në një proces gjyqësor dhe shpresoi që çështja të zgjidhet përmes dialogut.
“Na vjen keq që mbështetja jonë ka përfunduar në një padi, por shpresojmë për një dialog të arsyeshëm në mënyrë që të mund të vazhdojmë të mbështesim heronjtë tanë sportivë së bashku në të ardhmen”, u shpreh zëdhënësja.
Ndërkohë, avokati i Haaland, Thomas Hagen, e konsideron çështjen të qartë dhe pretendon se tiparet dalluese të futbollistit janë përdorur pa autorizim për qëllime komerciale.
“Ky rast ka të bëjë me përdorimin ilegal të tipareve dalluese të Haaland nga norvegjezët për të shitur bileta aeroplani gjatë finaleve të Kupës së Botës”, deklaroi Hagen.
Haaland ishte një nga protagonistët e Norvegjisë në Kupën e Botës, duke shënuar shtatë gola, ndërsa kombëtarja norvegjeze arriti deri në çerekfinale.

