Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Kuvendit për nisjen e procedurës legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të Qeverisë dhe i hap rrugë përgatitjes së vlerësimeve për projektligjin, i cili synon ndryshimin e ligjit aktual.
Në kuadër të procedurës, qeveria do të japë vlerësimin për përputhshmërinë e projektligjit me acquis të Bashkimit Evropian, ndikimin e tij në buxhet, si dhe një opinion ligjor për përmbajtjen e ndryshimeve të propozuara. Kërkesa e Kuvendit për këtë nismë legjislative është dorëzuar më 23 shtator 2026.
Projektligji lidhet me kufizimin e fushës së veprimit të Dhomave të Specializuara. Sipas propozimit, çështjet që nuk përfshihen në mandatin e tyre do t'u kalonin institucioneve të drejtësisë në Kosovë. Projektligji parashikon gjithashtu që, pas përfundimit të procesit të ankimimit, çështjet që bien në juridiksionin e sistemit të drejtësisë në Kosovë të përcillen te institucionet vendore.
Një tjetër propozim lidhet me kontrollin kushtetues. Sipas draftit, kushtetutshmëria e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe ndryshimeve të tij do të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë, ndërsa Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese do të vijonte të merrej me referimet që lidhen me vendimet e Dhomave të Specializuara.
Projektligji propozon edhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vite burg, si dhe mundësinë që dënimet të vuhet në Kosovë, sipas kushteve të përcaktuara në kuadrin e ri ligjor.
