Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Cannabis-i mjekësor dhe industrial, qeveria përcakton rregullat e reja të kontrollit

Shkruar nga Newsbomb
Cannabis-i mjekësor dhe industrial, qeveria përcakton rregullat e reja
Foto ilustruese

Këshilli i Ministrave ka miratuar rregullat e hollësishme për kontrollin dhe mbikëqyrjen e aktivitetit të licencuar me cannabis për qëllime mjekësore dhe industriale. Vendimi përcakton mënyrën se si do të kontrollohet i gjithë cikli i aktivitetit, duke nisur nga importi i farave dhe materialit mbjellës, kultivimi dhe korrja, deri te përpunimi, magazinimi, transporti dhe eksporti.

Në qendër të këtij sistemi do të jetë Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, e cila do të kryejë kontrolle të vazhdueshme dhe të bazuara në nivelin e riskut të çdo subjekti. Mbikëqyrja nuk do të kufizohet vetëm te inspektimet fizike, por do të bëhet edhe në distancë përmes kamerave CCTV, sensorëve, sistemeve elektronike, dronëve dhe imazheve satelitore. Agjencia do të ketë akses 24 orë në 24 në sistemet e kamerave të subjekteve, ndërsa pamjet dhe të dhënat e mbledhura mund të përdoren edhe në procedura administrative, civile apo penale.

Subjektet do të detyrohen të garantojnë akses të plotë për kontrollorët në ambientet, pajisjet, dokumentacionin dhe sistemet elektronike. Po ashtu, duhet të kenë një person përgjegjës të disponueshëm gjatë gjithë kohës dhe të raportojnë menjëherë çdo incident që cenon sigurinë ose gjurmueshmërinë e materialit. Kontrollet do të zhvillohen sipas një programi vjetor, por Agjencia mund të kryejë edhe kontrolle të paplanifikuara kur ka dyshime për shkelje, mospërputhje të të dhënave apo probleme me sistemet e sigurisë.

Rregulla të posaçme përcaktohen për importin e farave, fidanëve dhe kloneve. Kontrolli do të vijojë gjatë kultivimit dhe korrjes, ndërsa çdo lot i prodhuar duhet të regjistrohet në sistem përpara se të kalojë në përpunim, shitje apo eksport. Një nga kriteret kryesore lidhet me përmbajtjen e THC-së. Për cannabis-in industrial, një lot konsiderohet jokonform nëse niveli total i THC-së kalon 0.8%. Në këtë rast materiali nuk mund të hidhet në qarkullim, ndërsa subjekti ka të drejtë të kërkojë ritestimin e mostrës. Nëse rezultati konfirmohet, mund të procedohet me ndryshimin e destinacionit ose, kur kjo nuk është e mundur, me asgjësimin.

Edhe transporti do të jetë nën kontroll. Cannabis-i dhe produktet e tij duhet të transportohen me mjete të mbyllura dhe të sigurta, ndërsa për çdo lëvizje duhet të deklarohen sasia, loti, itinerari, automjeti, personeli shoqërues dhe destinacioni. Vendimi parashikon gjithashtu procedura të posaçme për sekuestrimin, konfiskimin dhe asgjësimin e materialeve. Çdo lëvizje dhe ndryshim statusi duhet të regjistrohet në Regjistrin Kombëtar dhe në sistemin e gjurmueshmërisë.

Në rast se gjatë kontrolleve konstatohen shkelje ose mangësi, subjekteve mund t'u caktohen detyra korrigjuese, me një afat që nuk mund të kalojë 30 ditë. Nëse detyrimet nuk përmbushen, Agjencia vijon me masat administrative të parashikuara nga ligji.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese