Gazetari: Kontrolle në banesën e Rony Yeffet dhe zyrat e KAYO. Ardi Veliut nuk i është sekuestruar celulari

2 Tetor 2026 | 23:53

Gazetari Eni Ferhati në emisionin “Review”, ka dhënë detaje për hetimin e nisur nga SPAK lidhur me sektorin e industrisë së mbrojtjes dhe pretendimet e ngritura më herët nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

Ai tha se gjatë ditës së premte janë ushtruar kontrolle në disa ambiente në Tiranë, përfshirë banesën e biznesmenit Rony Yeffet dhe ambientet e kompanisë shtetërore KAYO, ndërsa janë sekuestruar dokumente që lidhen me procedurat e tenderimit. SPAK nuk ka dhënë ende një qëndrim zyrtar për hetimin.

“Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të mbështetur edhe nga forcat e policisë, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë zbatuar një seri vendimesh kontrolli që janë ushtruar kryesisht në kryeqytet. Mund t’ju konfirmoj deri në këto momente që është ushtruar kontroll pikërisht në banesën e biznesmenit Rony Yeffet, në fshatin Pëllumbas, në periferi të Tiranës, në një banesë që ai e shfrytëzonte, ku janë kryer kontrolle. Ka pasur, krahas kontrollit të banesës, edhe vendim për kontrollin personal të biznesmenit, ku janë sekuestruar dokumente. Është parë e nevojshme të thirret edhe një përkthyes gjatë veprimit procedural dhe hetimor për gjetjen e provës”, tha Ferhati

Ai shtoi se gjatë kontrollit është gjetur edhe një armë zjarri, e cila rezultonte me leje. “Po ashtu është sekuestruar edhe një armë zjarri, por me leje, sipas informacioneve, e biznesmenit Rony Yeffet, i cili me sa duket është ndër personat për të cilët SPAK ka krijuar dyshime të arsyeshme. Kontrolle janë ushtruar, edhe tek kompania KAYO, kryesisht për sekuestrim dokumentacioni lidhur me procedurat që janë ndjekur, kryesisht sa i takon tenderave dhe kompanive që ndërlidhen me KAYO në çështjet e biznesit të kësaj industrie të mbrojtjes, siç janë TIMAK, TIMAK Defense e të tjera”, tha ai.

Gazetari sqaroi gjithashtu se, sipas verifikimeve të tij, drejtorit të KAYO-s, Ardi Veliu, nuk i është sekuestruar telefoni celular.

“Nuk i është sekuestruar aparati celular drejtorit të ndërmarrjes apo kompanisë shtetërore KAYO, zotit Ardi Veliu. Unë kam komunikuar para pak minutash me zotin Veliu. Pikërisht kam kërkuar të marr edhe versionin e tij lidhur me lajmet që kam parë, sepse SPAK ka qenë hermetik dhe zyrtarisht sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje lidhur me këtë operacion apo hetim nga Prokuroria e Posaçme.

Nuk i ishte sekuestruar aparati celular, jo vetëm për faktin që unë komunikova në telefon me numrin që ai disponon prej vitesh, që në kohën kur ka qenë drejtues i Policisë së Shtetit, por nga ana tjetër zoti Veliu, në një lloj mënyre, e përjashtoi edhe veten e tij nga gjithë kjo histori”, tha Ferhati.

Gazetari Eni Ferhati tha se hetimi dyshohet se ka nisur mbi bazën e materialeve dhe pretendimeve të bëra publike nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj. “Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet kryesisht mbi bazën e një kallëzimi nga rrethi i Arben Ahmetajt. Por mbetet për t’u parë se si do të jenë zhvillimet në vijim. Me shumë gjasa do të kemi persona të cilët do të thirren dhe do të pyeten në Prokurorinë e Posaçme, qoftë si persona në dijeni, apo ndoshta ndaj tyre mund të ndryshojë edhe pozita procedurale, mund të jenë persona në hetim“, tha gazetari Ferhati.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Si të dalloni një kamerë të fshehtë? Eksperti demonstron live: Kamera në çantë filmon dhe regjistron audio

I ftuar në “Review” me Greta Topjanën, eksperti i sigurisë Fatjon Softa solli në studio një çantë, në të cilën ishte implementuar një kamerë e...
22:04 | 02/10/2026

“Kamera të kamufluara në pajisje alarmi”, Malaj: Videot që qarkullojnë online po shkaktojnë drama të mëdha sociale

Pedagogia Nora Malaj ka diskutuar në “Review” me Greta Topjana lidhur me cenimin e privatësisë dhe sigurisë kibernetike. Ajo thekson se rreziqet reale vijnë nga...
21:59 | 02/10/2026

“Kamerat mund të jenë të hapura për këdo”, eksperti i IT-së demonstron live rrezikun

I ftuar në emisionin “Review” me GretaTopjanën, eksperti i IT-së, Edmond Liçaj, bëri një demonstrim live se si kamerat mund të aksesohen jo vetëm nga...
21:17 | 02/10/2026