“Gjendje lufte”/ Studentja nga Kosova denoncon kushtet në godinat e vjetra të Qytetit Studenti

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 03.10.2026, 00:55

Një studente nga Kosova i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar kushtet në godinat e vjetra të Qytetit Studenti në Tiranë.

Për shkak të çmimeve të larta të banesave me qira, ajo thotë se ka kërkuar një vend në konvikt, por kushtet me të cilat është përballur, sipas saj, janë larg asaj që duhet të ofrojë një ambient për studentë.

“Konfirmoj që kushtet aty janë po të njëjta të gjendjes së luftës që kemi pasur në Kosovë”, shkruan studentja, duke përshkruar atë që ka parë në godinat e vjetra.

Në pamjet e dërguara në redaksi shihet një dhomë me krevate dhe dyshekë të vjetër, mobilie të amortizuara, rafte prej druri dhe një lavaman të vendosur brenda dhomës. Dritaret duken të vjetra, ndërsa edhe pllakat e dyshemesë janë të dëmtuara.

Pamjet e tjera tregojnë ambientet e përbashkëta të tualeteve dhe lavamanëve. Tualetet janë të vjetra, ndërsa lavamanët janë të vendosur përgjatë korridorit në një ambient të përbashkët.

Studentja thotë se bëhet fjalë për godinat e vjetra të Qytetit Studenti dhe se studentëve u është thënë se mund të qëndrojnë aty, pasi në godinat e reja nuk kishte vende të lira.

“Po i ndaj me ju, mos mbase të ketë ndonjë reagim për të rinjtë e Shqipërisë”, shkruan ajo, duke kërkuar që kushtet e konvikteve të marrin vëmendjen e institucioneve.

Në një kohë kur qiratë në Tiranë rëndojnë buxhetin e studentëve, pyetja është e thjeshtë: a janë këto kushtet që duhet t’u ofrohen të rinjve që vijnë në Tiranë për të studiuar?

Studentja kërkon ndërhyrje dhe përmirësim të kushteve në godinat e vjetra të Qytetit Studenti.

JOQ Albania publikon pamjet dhe denoncimin e studentes, ndërsa pret reagimin e institucioneve përgjegjëse për kushtet në këto godina.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit