Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se nuk ka pengesa ligjore për nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Vendimi është miratuar më 2 tetor në mbledhjen elektronike të Qeverisë dhe, së bashku me tekstin e mendimit të saj, i është përcjellë Kuvendit të Kosovës.
Qeveria ka shqyrtuar përputhshmërinë e projektligjit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndikimin buxhetor dhe përmbajtjen ligjore të ndryshimeve të propozuara. Megjithatë, ndryshimet e kërkuara nga PDK-ja ende nuk janë miratuar nga Kuvendi.
Çfarë kërkon PDK-ja?
Nisma e PDK-së vjen pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Projektligji propozon, ndër të tjera, ngushtimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara dhe kalimin në gjykatat dhe prokurorinë e Kosovës të rasteve që konsiderohen jashtë këtij juridiksioni.
Ndryshimet përfshijnë gjithashtu mundësinë e ankimit në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, vuajtjen e dënimeve në Kosovë dhe mundësinë që presidenti të falë personat e dënuar.
Dënimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Nisma për ndryshimin e ligjit pasoi vendimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.
Vendimi është i shkallës së parë dhe të dënuarit kanë të drejtë ta apelojnë.
Çështja e zotimeve ndërkombëtare
Ndryshimet e propozuara kanë hapur diskutime edhe për zotimet ndërkombëtare të Kosovës.
Ekspertë juridikë kanë paralajmëruar se ndryshimet në ligj dhe zbatimi i tyre mund të përballen me kufizime kushtetuese dhe me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Sipas të dhënave të raportuara nga Radio Evropa e Lirë, përmes shkëmbimit të letrave me Bashkimin Evropian në vitin 2014, Kosova ishte zotuar të konsultohej me BE-në për ndryshime ligjore që prekin mandatin e Dhomave të Specializuara apo procedurat përkatëse.
Dhomat e Specializuara kanë deklaruar se nuk janë konsultuar për këtë nismë, ndërsa kanë theksuar se nuk komentojnë mbi nismat politike.
Von der Leyen: Duhet respektuar pavarësia e gjyqësorit
Një ditë para vendimit të Qeverisë së Kosovës, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u pyet në Prishtinë për nismën për ndryshimin e ligjit.
Ajo tha se i takon Kosovës të vendosë, por theksoi rëndësinë e garantimit të pavarësisë së gjyqësorit.
Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Albin Kurti më 1 tetor, von der Leyen theksoi gjithashtu se mandati i institucioneve të pavarura gjyqësore duhet të respektohet dhe se aktgjykimi lidhet me përgjegjësinë individuale të të pandehurve.
Protestat në Prishtinë dhe kërkesat për ndryshimin e ligjit
Ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara është bërë edhe një nga kërkesat e protestuesve që janë mbledhur në Prishtinë nën thirrjen “Jo në emrin tim”, pas dënimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Organizatori i protestave, Çlirim Haziri, ka kërkuar edhe garantimin e një buxheti mbështetës për mbrojtjen e katër të dënuarve.
PDK e lidh ligjin për Specialen me zgjedhjen e presidentit
Çështja e ndryshimit të ligjit është lidhur nga PDK-ja edhe me procesin për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti më 2 tetor, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se nuk ishte arritur marrëveshje.
Hamza ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij se ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara duhet të miratohen përpara se të vijojë diskutimi për zgjedhjen e presidentit.
Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor, ndërsa nëse deputetët nuk arrijnë ta zgjedhin kreun e shtetit, Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

