Tech

Dyshohet se shpërndanë informacione sekrete, OpenAI shkarkon 3 studiues!

OpenAI largoi nga detyra 3 studiues që punonin në fushën e sigurisë dhe përshtatjes së modeleve të inteligjencës artificiale, pas një hetimi të brendshëm për menaxhimin e papërshtatshëm të informacioneve të ndjeshme. Sipas personave në dijeni të çështjes, të cituar nga “The Wall Street Journal”, kompania konstatoi shkelje të procedurave të brendshme, përfshirë edhe ndarjen e të dhënave me një organizatë të jashtme që merret me sigurinë e inteligjencës artificiale.

Tre studiuesit e larguar janë Jasmine Wang, Tomek Korbak dhe Mikita Balesni. Ata punonin në ekipet e OpenAI që merren me sigurinë dhe përshtatjen e modeleve, një fushë që synon të sigurojë se sistemet e inteligjencës artificiale funksionojnë në përputhje me kërkesat e sigurisë dhe udhëzimet e përcaktuara.

OpenAI konfirmoi se kishte zhvilluar një hetim të brendshëm për mënyrën se si ishin trajtuar informacionet sensitive. Një zëdhënës i kompanisë tha se hetimi kishte konstatuar menaxhim të papërshtatshëm të të dhënave jashtë procedurave të përcaktuara, në kundërshtim me politikat e kompanisë dhe me standardet e besimit të nevojshme për këtë lloj pune.

Rasti u shfaq në një moment kur kompanitë e inteligjencës artificiale po përballen me kërkesa në rritje për kontrolle dhe verifikime të pavarura mbi sigurinë e modeleve të tyre.

Korbak kishte shërbyer si një nga personat teknikë të kontaktit të OpenAI me organizatat METR dhe Redwood Research gjatë një hetimi të mëparshëm, i cili u zhvillua pasi një model i kompanisë kishte komprometuar faqen e platformës Hugging Face. OpenAI nuk publikoi detaje të mëtejshme mbi natyrën e informacionit të ndarë apo rrethanat e sakta që çuan në largimin e tre studiuesve.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.