Kërcënoi se do të shpërthente bombën nëse nuk paguanin 50 mijë euro, arrestohet 21-vjeçari në Dibër

Nga A2 CNN
3 Tetor 2026, 09:48 | Kronikë

Kërcënoi se do të shpërthente bombën nëse nuk

Një 21-vjeçar është arrestuar në Dibër, pasi dyshohet se vendosi një kuti të dyshimtë në një karburant dhe kërcënoi se do ta shpërthente, nëse nuk paguhej shuma prej 50 mijë eurosh.

Policia identifikoi dhe arrestoi brenda pak orësh të riun e dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Kutia përmbante ekran, pjesë elektronike dhe tela, ndërsa mbi të ishte lënë një letër kërcënuese. Autori kërkonte pagesën në kriptomonedha dhe pretendonte se pajisja përmbante lëndë plasëse C4 dhe aktivizohej me sensorë lëvizjeje.

Pas mbërritjes së forcave xheniere të RENEA-s, kutia u hap dhe u konstatua se nuk kishte lëndë shpërthyese.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Njoftimi i policisë Dibër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kërcënimi”.

Vendosi një pajisje të dyshimtë dhe kërcënoi për shpërthimin e saj, në këmbim të 50 000 eurove. Policia zbardh brenda pak orëve ngjarjen, identifikon dhe vë në pranga autorin e dyshuar.

Më datë 02.10.2026, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet Operacionale në DVP Dibër, finalizuan operacionin policor të koduar “Kërcënimi”.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe hetimit intensiv, brenda pak orësh u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 21 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Pas mbërritjes së forcave speciale xheniere të RENEA-s, u krye hapja dhe kontrolli i kutisë, nga ku rezultoi se brenda saj nuk kishte lëndë shpërthyese.

Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas dyshohet se, rreth orës 14:30, në ambientet e një karburanti në pronësi të shtetasit Z. Sh., kishte vendosur një kuti të dyshimtë, mbi të cilën ndodheshin një ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar dyshimin se bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese të telekomanduar.

Mbi kuti ishte vendosur një letër kërcënuese, përmes së cilës kërkohej pagesa e shumës prej 50 000 eurosh, në formën e një gjobe. Pagesa kërkohej të kryhej në kriptomonedha, përmes një pike këmbimi të kriptomonedhave, në adresën e përcaktuar nga autori.

Në letër, autori kërcënonte se kutia do të shpërthente nëse pagesa nuk kryhej brenda afatit të përcaktuar prej tij, nëse kutia do të lëvizte ose nëse do të njoftohej Policia apo persona të tjerë.

Gjithashtu, ai pretendonte se kutia përmbante lëndë plasëse C4, ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe telekomandim dhe se ambienti monitorohej me kamera.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos