Mbi 50 qytete në Spanjë pritet të përfshihen të shtunën në protesta për krizën e banesave, një ditë pasi parlamenti rrëzoi dy masa të qeverisë që synonin të forconin mbrojtjen e qiramarrësve.
Protestat janë thirrur nga Unioni i Qiramarrësve, i cili ka koordinuar edhe tubimet në qytete të ndryshme të vendit. Organizatorët akuzojnë partitë politike se janë shkëputur nga shqetësimet e qytetarëve, ndërsa kriza e strehimit po shndërrohet në një nga çështjet më të ndjeshme për shoqërinë spanjolle.
Në Madrid, protestuesit pritet të nisen nga disa pika të qytetit në mesditë dhe të mblidhen në sheshin Cibeles, në qendër të kryeqytetit. Ndërkohë, aktivistë janë vendosur prej rreth një jave në Puerta del Sol, një nga sheshet kryesore të Madridit.
Pakënaqësia u përshkallëzua pas dëbimit të 87-vjeçares Maricarmen Abascal nga apartamenti ku kishte jetuar për rreth 70 vjet. Gruaja u nxor nga banesa me barelë, ndërsa aktivistët e strehimit thanë se një kompani investimesh kishte blerë pronën dhe kishte kërkuar rritjen e qirasë me 275 për qind.
Pas reagimit të fortë publik, pronarët e rinj ranë dakord që 87-vjeçarja të rikthehej në banesë me një qira të ulët.
Thirrje për zgjedhje të parakohshme
Qeveria e kryeministrit socialist Pedro Sánchez kishte hartuar masat e reja pas protestave mbarëkombëtare për krizën e strehimit. Paketa e rrëzuar të premten parashikonte rinovimin automatik të kontratave të qirasë pas përfundimit të tyre dhe kufizimin e dëbimeve të qiramarrësve në situata vulnerabiliteti.
Masat synonin gjithashtu të frenonin aktivitetin e të ashtuquajturave “fonde grabitqare”, kompani investimesh që blejnë prona me çmime të ulëta me synimin për të siguruar kthime më të larta.
Për miratimin e masave nevojiteshin edhe votat e partisë separatiste katalanase Junts, e cila votoi kundër, duke argumentuar se propozimet nuk ishin mjaftueshëm rigoroze.
Rrëzimi i paketës përbën një tjetër goditje për qeverinë e pakicës së Sánchez dhe ka rikthyer pikëpyetjet mbi aftësinë e saj për të qëndruar në pushtet deri në zgjedhjet e ardhshme të planifikuara për vitin 2027.
Pas votimit, lideri i Partisë Popullore (PP), Alberto Núñez Feijóo, i bëri thirrje Sánchez që të shpallë zgjedhjet sa më shpejt. Sipas tij, pas tetë vitesh në pushtet, kryeministri nuk ka më mbështetjen e as qytetarëve dhe as parlamentit.
Kriza e banesave ka qenë prej vitesh një nga shqetësimet kryesore të spanjollëve, ndërsa oferta e kufizuar nuk po arrin t’i përgjigjet kërkesës në rritje. Sipas të dhënave të publikuara nga platforma e pasurive të paluajtshme Idealista, qiratë mesatare në Spanjë janë pothuajse dyfishuar gjatë dekadës së fundit, ndërsa çmimet e kërkuara për banesat janë rritur me rreth 90 për qind.

