Buta duket se po kalon një periudhë të rëndësishme në jetën personale. Reperi është ribashkuar me gruan dhe vajzën, ndërsa ka ndarë me ndjekësit edhe një tjetër zhvillim të rëndësishëm: është esëll që prej janarit.
Buta publikoi disa fotografi pranë bashkëshortes dhe vajzës, duke shoqëruar njërën prej tyre me një fjali të thjeshtë: “U ribashkova me familjen”. Postimi tregon se çifti i ka dhënë një tjetër mundësi marrëdhënies, pas një periudhe larg njëri-tjetrit.
Por ky nuk ishte i vetmi ndryshim për të cilin reperi vendosi të flasë publikisht. Në të njëjtin postim, Buta kërkoi ndjesë që nuk ka publikuar shumë muzikë gjatë këtij viti dhe shpjegoi se gjatë kësaj kohe ka qenë i përqendruar te vetja dhe te kthjellimi.
“Kam dashur të kthjellohem dhe ia dola. Jam esëll që nga janari”, shkroi ai.
Reperi nuk dha më shumë detaje për këtë periudhë apo për rrugëtimin që e çoi drejt këtij ndryshimi. Megjithatë, pas muajsh me më pak aktivitet muzikor, ai duket se ka zgjedhur të ndajë me publikun dy lajme personale: rikthimin pranë familjes dhe një hap të rëndësishëm në jetën e tij.


