Adi Hila rrezikon deri në 7 vite burg / Avokatja: Ja çfarë rrezikojnë ata që i shpërndajnë në rrjetet sociale

Skandali i publikimit të videove intime vijon të jetë në qendër të diskutimeve publike. Në emisionin “News24 Fundjavë”, të moderuar nga Megi Latifi, u trajtua edhe aspekti ligjor i publikimit dhe shpërndarjes së videove intime të kompozitorit Adi Hila, ku janë përfshirë edhe persona të njohur të showbizit shqiptar.
Avokatja Drita Avdyli tha se ruajtja, shpërndarja dhe rishpërndarja e materialeve intime pa pëlqimin e personave të përfshirë përbën vepër penale.
“Ruajtja, shpërndarja dhe rishpërndarja në WhatsApp është vepër penale, pasi nuk është marrë pëlqimi i palëve”, u shpreh Avdyli.
Sipas saj, policia ka strukturat e krimit kibernetik dhe hetuesit mund të identifikojnë personat që kanë kryer shpërndarjen e materialeve. Ajo theksoi se verifikimi i shpërndarjes në grupe WhatsApp apo në rrjete sociale mund të bëhet përmes kërkesave zyrtare të autoriteteve.
“Policia ka policinë kriminale për të gjetur kush e ka bërë shpërndarjen e videove. Shpërndarja nga grupet WhatsApp apo rrjetet sociale mund të kërkohet me një kërkesë zyrtare nga policia”, tha avokatja.
Drita Avdyli nënvizoi se, në rastin konkret, përgjegjësia penale lidhet me veprimet e filmimit, ruajtjes dhe më pas shpërndarjes së materialeve intime pa pëlqim.
Sa i përket masës së dënimit, avokatja deklaroi se dënimet mund të variojnë nga 3 deri në 5 vite burg, ndërsa në rrethana të caktuara, sipas saj, dënimi mund të shkojë deri në 7 vite, duke e lidhur këtë me përsëritjen e veprës.


