web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Berisha mbledh në takim aleatët për Territorialen: Rama kërkon pushtetin vendor në duart e tij

3 Tetor 2026, 11:45, Politikë CNA



Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka mbledhur në një takim në selinë blu aleatët e PD-së për të diskutuar mbi reformën territoriale.

Berisha është shprehur se kryeministri Edi Rama do të shfrytëzojë 83 mandatet e krimit për të përqendruar pushtetin vendor në duart e tij.

“Ky takim lidhet me reformën territoriale. Ne u angazhuam në proces, jo se nuk ishim të sigurt që Edi Rama nuk do të angazhohej në një reformë të vërtetë, por ua themi këtu, dy qenë shkaqet për të cilat ne u angazhuam.

Së pari, ka pasur shumë kërkesa nga qytetarët që ne të mos braktisim këtë reformë dhe t’u lëmë socialistëve duar të lira.

Së dyti, reforma territoriale është një nga dy kërkesat e Komisionit Europian në raportin e tetorit që kaloi, se tani po vjen raporti i ri.

Nuk kishte diskutim që Edi Rama gjithçka do të ndjekë edhe ato mandate të grabitura, ato 83 mandate krimi, ai do t’i shfrytëzojë për një përqendrim të mëtejshëm të pushtetit vendor në duart e tij.

Ndërprenë papritmas, siç e dini, jashtë të gjitha procedurave, sepse po vazhdonin konsultimet, dhe nuk kishin përfunduar konsultimet, megjithatë ai u tërhoq, paraqiti draftin me 46 bashki duke hequr edhe 15 të tjera, që të gjitha për qëllimet e tij elektorale.

Ne paraqitëm një draft prej 100 bashkish, duke lënë të hapur dhe mundësinë e krijimit të njësive të tjera në varësi nga plotësimi i kritereve për ekzistencën e tyre.

Sigurisht Edi Rama vazhdoi me projektin e tij.

Është në kundërshtim me Kushtetutën dhe kartën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Europës, të cilat kërkojnë që këto ndryshime të bëhen me konsultë dhe referendum.

Por siç e dini nuk ka asnjë shans që ky të përfillë referendumin apo rekomandimet.

I plagosur rëndë dhe i pashpresë, ky tani merr çdo lloj vendimi që i intereson për lëkurën e tij.

Ne, për hir të opinionit, për të sqaruar opinionin mirë në këtë pikë, kemi paraqitur ligjin tonë në Parlament me 100 bashki, ligj i cili pa mëdyshje refuzohet nga socialistët.

Janë një numër bashkish që janë ngritur në protesta, në disa prej tyre as këshilltarët e tij nuk kanë pranuar të votojnë për shuarjen e bashkive. Është një situatë pra në të cilën mendova të këshillohem edhe me ju për këtë çështje të rëndësishme”, tha Berisha./ CNA





Lajmet e fundit nga