Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sali Berisha zhvilloi sot një takim me aleatët e partive të vogla opozitare të cilëve u shprehu qëndrimin e PD kundër Reformës Territoriale të PS që parashikon shkrirjen e 15 bashkive. *Deputeti i PL, Tedi Blushi propozoi 8 tetorin si datë për protestë jashtë Kuvendit ku do të votohet Reforma Territoriale. Berisha u shpreh dakord me propozimin e tij. *Nga ana tjetër aleatët i kërkuan Berishës qëndrueshmëri në betejën kundër Ramës dhe jo marrëveshje apo neglizhime. Ish-deputeti Nard Ndoka tha se Berisha herë pas here kishte bërë marrëveshje me Ramën.
Të enjten PS voton ‘Territorialen’, opozita bie dakord për protestë kombëtare

Më 8 tetor, ditën e enjte kur në Kuvend pritet të hidhet për votim projektligji i Reformës Territoriale, partitë opozitare kanë rënë dakord që të mbajnë një protestë kombëtare.
Propozimin e bëri deputeti i PL, Tedi Blushi i cili tha se opozita duhet t’u prijë protestave dhe jo vetëm të presë nga qytetarët.
“Opozita nuk duhet më të delegojë protestën vetëm te qytetarët, duhet t’i prijë protestave, Seanca e thirrur të enjten është një mundësi që të gjithë shqiptarët të mblidhen atë ditë para Kuvendit për t’i treguar këtij kryeministri se vetëm shqiptarët janë të zotët e këtij vendi. E enjtja është një mundësi që të gjithë shqiptarët të mbrojnë kulturën dhe historinë e trevave që përfaqësojnë. E enjtja të jetë protestë kombëtare, sepse kjo është hartë antikombëtare. Propozimi im është që të enjten të thërrasim protestë kombëtare”- tha Blushi.
Ky propozim u miratua nga Berisha i cili shprehu dakordësinë, por ende nuk dihet sesa do të ketë angazhim për protestë.
“Faleminderit për komentin dhe propozimin, jam plotësisht dakord”- u përgjigj Berisha. Versus.al
Nard Ndoka ia thotë në sy Berishës: Ke bërë bashkëpunime të nëndheshme me Ramën

Ish-deputeti Nard Ndoka ishte i pranishëm në tryezën e organizuar nga Sali Berisha me aleatët opozitarë sa i takon Reformës Territoriale që pritet të votohet nga socialistët në Kuvend.
Duke folur hapur, ai tha se vendi është në këtë situatë edhe për faktin se Berisha kishte bërë herë pas here bashkëpunim të nëndheshëm me Ramën. Por më tej Ndoka shtoi se edhe ai do të bënte të njëjtën gjë për përfitimet e forcës së tij politike, duke anashkaluar këtu faktin se partia duhet të përfaqësojë vullnetin e qytetarëve.
“Vendimmarrja jote duhet të jetë shumë e rëndësishme se e ka bërë reformën ai, është e katërta herë që e bën në mënyrë të njëanshme. Ndonjëherë edhe ndonjë bashkëpunim të nëndheshëm, se janë çështje interesash politike të pranueshme. Edhe unë po të isha kryetar i një partie të madhe do të shihja interesin e partisë time politike. Por ne ia kemi përsosur sistemin Edi Ramës, për fatin e keq ia kemi dhuruar dhe ai po e përsos herë pas here me gabimet tona”- tha Ndoka.
Sa i takon Territoriales, ish-deputeti u shpreh se duhet të bëhet diçka që Rama të mos ia arrijë qëllimit dhe jo thjesht të vijohet me zgjedhjet vendore sipas dëshirës së PS për ndarjen e re administrative.
“Ai me këtë dhuratë që ka marrë prej nesh si dhuratë po vijon të bëhet shumë i rrezikshëm. Unë e shoh të vështirë që ky person të largohet nëpërmjet votës. Strategjia jote duhet të jetë si ta pengojmë këtë person, jo që ti themi ne nuk i bojkotojmë zgjedhjet dhe do futemi sido që të ndahen bashkitë. Opozita është institucion, kemi përgjegjësi për organizimin e zgjedhjeve. Ne duhet ta bllokojmë, mos ta lëmë të bëjë zgjedhje”- shtoi Ndoka. Versus.al
PS drejt miratimit të 'Territoriales', Berisha mbledh aleatët: Rama i plagosur rëndë, nuk përfill as qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mblodhi sot aleatët e krerëve të partive të vogla opozitare për të diskutuar lidhur me Reformën Territoriale e cila pritet të votohet nga socialistët në Kuvend pavarësisht protestave të qytetarëve në disa rrethe.
“Ky takim lidhet me reformën territoriale. Ne u angazhuam në proces jo se nuk ishim të sigurt që Edi Rama nuk do angazhohej në një reformë të vërtetë, por ua themi këtu, dy qenë shkaqet për të cilat ne u angazhuam.
Së pari, ka pasur shumë kërkesa nga qytetarët që ne të mos braktisim këtë reformë dhe t’u lëmë socialistëve duar të lira. Së dyti, reforma territoriale është një nga dy kërkesat e Komisionit Evropian në raportin e tetorit që kaloi, se tani po vjen raporti i ri. Nuk kishte diskutim që Edi Rama gjithçka do ndjekë dhe ato mandate të grabitura, ato 83 mandate krimi, ai do t’i shfrytëzojë për një përqendrim të mëtejshëm të pushtetit vendor në duart e tij.
Ndërprenë papritmas, siç e dini, jashtë të gjitha procedurave, sepse po vazhdonin konsultimet, dhe nuk kishin përfunduar konsultimet, megjithatë ai u tërhoq, paraqiti draftin me 46 bashki duke hequr edhe 15 të tjera, që të gjitha për qëllimet e tij elektorale. Ne paraqitëm një draft prej 100 bashkish, duke lënë të hapur dhe mundësinë e krijimit të njësive të tjera na varësi nga plotësimi i kritereve për ekzistencën e tyre. Sigurisht Edi Rama vazhdoi me projektin e tij.
Është në kundërshtim me Kushtetutën dhe kartën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës, të cilat kërkojnë që këto ndryshime të bëhen me konsultë dhe referendum. Por siç e dini nuk ka asnjë shans që ky të përfillë referendumin apo rekomandimet. I plagosur rëndë dhe i pashpresë, ky tani merr çdo lloj vendimi që i intereson për lëkurën e tij. Ne, për hir të opinionit, për të sqaruar opinionin mirë në këtë pikë, kemi paraqitur ligjin tonë në parlament me 100 bashki, ligj i cili pa mëdyshje refuzohet nga socialistët.
Janë një numër bashkish që janë ngritur në protesta, në disa prej tyre as këshilltarët e tij nuk kanë pranuar të votojnë për shuarjen e bashkive. Është një situatë pra në të cilën mendova të këshillohem edhe me ju për këtë çështje të rëndësishme”, tha Berisha. Versus.al

