Në një deklaratë për media, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka akuzuar qeverinë Rama se ka dështuar në luftën ndaj korrupsionit dhe informalitetit, duke iu referuar raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri.
Xhixho deklaroi se raporti evidenton korrupsionin në administratë, drejtësi dhe prokurime publike, si dhe shqetësimet e investitorëve për pastrimin e parave, sigurinë e pronësisë dhe dobësitë institucionale.
Ajo tha se ndërtimi është kthyer në sektor dominues të ekonomisë, ndërsa mungesa e transparencës, paratë jashtë sistemit bankar dhe kapitali me origjinë kriminale kanë deformuar konkurrencën.
Xhixho akuzoi gjithashtu qeverinë për mungesë transparence në PPP-të dhe investimet strategjike, ndërsa tha se emigrimi masiv dhe mungesa e fuqisë punëtore po dëmtojnë ekonominë shqiptare.
“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit nxjerr zbuluar shtetin e Edi Ramës, të bazuar mbi korrupsion dhe lidhje me krimin”, deklaroi Xhixho.
Deklarata e deputetes të Partisë së Lirisë, Znj. Erisa Xhixho.
Të nderuar qytetarë!
Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri ngre një alarm të fortë për gjendjen në të cilën është katandisur ekonomia shqiptare.
Pas gjithë propagandës dhe vorbullës së skandaleve ku qeveria përpiqet t’i ikë përgjegjësisë, raporti i DASH e thotë qartë: korrupsioni, informaliteti, pastrimi i parave dhe dobësitë institucionale janë pengesa serioze për ekonominë dhe investimet e huaja.
Sipas raportit, korrupsioni në administratën publike, sistemin e drejtësisë dhe prokurimin publik përbën një nga pengesat kryesore për investitorët e huaj. Investitorët raportojnë gjithashtu rrezikun e zhvatjes apo shantazhit nga zyrtarë publikë dhe grupe kriminale.
Në fakt, ky nuk është thjesht perceptimi i investitorëve. Është realiteti që ne përditë shohim me sy dhe që shifrat e ekonomisë shqiptare e konfirmojnë.
Ndërtimi është kthyer në sektorin dominues të ekonomisë shqiptare. Sot ai përbën 12.6% të PBB-së, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian nuk i kalon 5%. Në të njëjtën kohë, sipërfaqja e dhënë për ndërtim rezulton gati katër herë më e lartë se ajo e deklaruar zyrtarisht. Pra, kemi një sektor që është zgjeruar në përmasa të jashtëzakonshme, ndërkohë që transparenca mbi lejet, sipërfaqet dhe burimin e financimit është zero.
Kjo ndodh sepse ndërtimi është kthyer në lavatricen e parave të krimit dhe korrupsionit, me bekimin e qeverisë. Shqipëria, vijon të konsiderohet në raportet amerikane si një juridiksion i rëndësishëm për pastrimin e parave.
Rreth 12 miliardë euro qarkullojnë jashtë sistemit bankar, ndërsa korrupsioni i kushton ekonomisë shqiptare rreth 1 miliard euro çdo vit.
Është e qartë se po flasim për një ekonomi informale, në të cilën dhe kapitali me origjinë kriminale e fiton garën me biznesnin e ndershëm.
Rreth 2 miliardë euro në vit depërtojnë në ekonominë shqiptare, duke deformuar konkurrencën e kursin e këmbimit, dhe paradoksalisht, duke rritur edhe cmimet.
Sot shohim si ndërtohen kulla njëra pas tjetrës, por strehimi mbetet luks për shqiptarët. Me cmime që nisin nga 2300 euro dhe arrijnë deri në 6 mijë euro për metër katror, një qytetari mesatar i duhen dy jetë për të blerë një shtëpi.
Pronësia mbi tokën mbetet një tjetër pengesë për investitorët. 80% e të dhënave të regjistruara më parë kërkojnë verifikim! Dhe problemi bëhet akoma më i pakapërcyeshëm kur është fjala për zonat bregdetare dhe malore.
DASH e vë theksin te niveli i lartë i informalitetit në Shqipëri. Në më shumë se tre mandate, kjo qeveri nuk e ka futur dot ekonominë në binarët e duhur. Jo se nuk mundet, por sepse nuk intereson. Sipas studimeve, informaliteti në Shqipëri arrin sot deri në 30-32% të PBB-së.
Mungesën e fuqisë punëtore dhe emigrimin emigrimi masiv e kanë dëmtuar ekonominë, duke u bërë pengesë për investimet e huaja. Shqipëria po humbet krahun e punës në mënyrë progresive. Mbi 1 milion shqiptarë kanë lënë vendin në pak vite!
Kjo është panorama reale e ekonomisë shqiptare: korrupsion, informalitet, pasiguri pronësie, konkurrencë e kufizuar, PPP pa transparencë, investime strategjike pas të cilave fshihen miqtë e kryeministrit dhe miliarda euro që qarkullojnë jashtë sistemit bankar. Prova më e qarë e mungesës së transparencës është libri “Albanian Files”. 523 projekte të porositura dhe të financuara pa asnjë transparencë dhe në shkelje të ligjit.
Raport i Departamentit Amerikan të Shtetit nxjerr zbuluar shtetin e Edi Ramës, të bazuar mbi korrupsion dhe lidhje me krimin!
Faleminderit!
© SYRI.net