Eraldo Fizi, ish-partneri i Xhuana Nikollajt, është vetëdorëzuar në Polici pas më shumë se gjashtë muajsh në kërkim.
Ai dyshohet për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, ndërsa ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.
Xhuana Nikollaj ndërroi jetë në QSUT më 10 mars 2026.
Dëshmitë e administruara gjatë hetimit përshkruajnë një konflikt me ish-partnerin dhe dhunë të dyshuar ndaj saj në orët përpara ngjarjes.
Sipas dëshmisë së shoqes së saj të dhomës, Aurela Hasanaj, konflikti lidhej me një ekskursion të organizuar nga shkolla ku Xhuana punonte, më 7 dhe 8 mars, në Berat.
Gjatë udhëtimit, Xhuana kishte shprehur dyshime se Eraldo e kishte ndjekur.
Mbrëmjen e 9 marsit, rreth orës 20:30, Eraldo u takua me Xhuanën dhe Aurelën pranë banesës ku dy gratë jetonin me qira.
Pas bisedës, Aurela u largua, ndërsa Xhuana qëndroi me ish-partnerin.
Rreth orës 03:10 të 10 marsit, Eraldo telefonoi Aurelën për t’i kërkuar të hapte derën e godinës, pasi Xhuana nuk kishte çelës.
Sipas dëshmisë së saj, ai i kërkoi të kujdesej për Xhuanën. Kur kjo e fundit hyri në banesë, Aurela deklaron se vuri re shenja në fytyrë, rreth syve dhe në duar.
Në orët e para të mëngjesit, Xhuana kontaktoi edhe motrën e saj, Klodina Nikollaj.
Sipas dëshmisë së Klodinës, ajo i tregoi se Eraldo e kishte marrë me makinë, e kishte çuar në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, dhe e kishte dhunuar.
Xhuana i dërgoi gjithashtu një fotografi ku, sipas motrës, dalloheshin shenja dhune në fytyrë.
Klodina ka deklaruar se e këshilloi të denonconte në Polici, por Xhuana shprehte frikë për sigurinë e të atit.
Mëngjesin e 10 marsit, familjarët nuk po arrinin të komunikonin me të. Policia u njoftua dhe Xhuana u transportua në QSUT, ku ndërroi jetë pavarësisht ndihmës mjekësore.
Në dosjen hetimore është administruar edhe dëshmia e motrës tjetër, Silvana Kaleshi.
Ajo ka deklaruar se çifti ishte ndarë në vitin 2025 dhe se Xhuana më pas ishte zhvendosur në Tiranë, ku kishte nisur një punë dhe jetë të re. Sipas saj, Eraldo vijonte ta kontaktonte dhe ushtronte presion që të riktheheshin bashkë.
Prokuroria po shqyrton dëshmitë, komunikimet telefonike, pamjet filmike dhe materiale të tjera të sekuestruara. Sipas dosjes, pamjet e kamerave të sigurisë përputhen me oraret e përshkruara nga Aurela Hasanaj për lëvizjet gjatë natës së 9 marsit.
Gjykata ka vlerësuar se provat e administruara deri në këtë fazë krijojnë dyshim të arsyeshëm ndaj Eraldo Fizit. Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësisë penale.

