Rita Petro: Guxim deri në krisje

3 Tetor 2026, 17:03Kulturë TEMA

Ballsor Hoxha
Rita Petro: Guxim deri në krisje

Në poezinë e Rita Petros ka një çast të vogël, pothuajse infantil në thjeshtësinë e tij, që mund të lexohet si një çelës për një pjesë të madhe të veprës së saj. Në poemën Vrima, ajo numëron yjet: një, dy, tre, dhjetë, njëmijë, njëmilion, njëmiliard, infinit — dhe pastaj shkruan: “Infinit pa një...”

Çfarë mund t’i mungojë infinitit?

Matematikisht, pyetja ngjan absurde. Poetikisht, pikërisht absurditeti e hap një vrimë. Infiniti, ajo fjalë me të cilën njeriu përpiqet ta mbyllë të pakufishmen brenda një koncepti, papritur është mangët. I mungon një. Nuk është më plotësia e paprekshme me të cilën kemi rrethuar të panjohurën. Është krisur.

Kjo krisje më duket një nga mënyrat më të mira për të hyrë në poezinë e Rita Petros.

Petro është poete e krisjes jo sepse kërkon çorodinë, skandalin apo provokimin si vlera në vetvete. Ajo kris pikërisht ato vende ku njeriu ka ndërtuar një siguri: trupin dhe tabunë, dashurinë dhe familjen, të tashmen dhe të kaluarën, jetën dhe vdekjen. Në vend të sistemit të mbyllur, ajo lë një vrimë. Dhe përmes asaj vrime mund të shihen yjet.

Vrima
Kur është botuar Vrima, një pjesë e leximit publik të saj është ndalur te seksualiteti, incesti, trupi, provokimi. Mirëpo poezia e Petros nuk e thërret incestin vetëm për të cenuar një tabu. Në të, i dashuri mund të jetë edhe “vëlla”; historia religjioze, dashuria, trupi dhe origjina njerëzore vendosen në një hapësirë ku kufijtë që kultura i merr si të vetëkuptueshëm nuk janë më aq të sigurt.

Këtu Vrima bëhet më interesante sesa provokimi i saj.

Njeriu jeton duke themeluar. Krijon prejardhje, ligje, religjione, moral, hierarki dhe shpjegime. Të panjohurës i jep emër. Ka nevojë ta dijë se ku fillon dhe ku mbaron bota e tij. Mirëpo ne nuk e dimë as fillimin tonë dhe as fundin tonë. Në këtë kuptim, çdo themel që ndërtojmë përmban brenda vetes edhe një mungesë.

Dhe pikërisht këtu formula poetike “infinit pa një” bëhet më e fuqishme se çfarëdo teze filozofike për të.

Petro nuk e mohon infinitin. Ia heq njëshin.

Mjafton kaq.

Në atë mungesë të vogël, universi i përkryer bëhet univers njerëzor: i paplotë, i çarë, i pambyllshëm. Ajo që dukej absolute bëhet e cenueshme. Dhe Vrima, me të gjitha konotacionet trupore, seksuale, kozmike e religjioze të saj, bëhet një figurë e pathemelueshmërisë sonë. Në shkrimin tim të mëhershëm për poemën e kisha quajtur këtë “rrënim të matematikës së njerëzimit”: përpjekjen tonë për ta mbyllur të panjohurën në një rend që vetë poezia mund ta çajë me tri fjalë.

Kjo është edhe arsyeja pse guximi i Petros nuk duhet reduktuar në guximin për të shkruar për seksin apo tabutë. Guximi më i madh është të mbetesh përballë një bote pasi ke çarë sigurinë me të cilën e shpjegoje atë.

Dhe të vazhdosh të jetosh.

Hiri
Në Kënga e turmës gjendet një poezi tjetër që e vazhdon këtë krisje në një drejtim tjetër: Hiri.

Poetja nuk ka frikë nga tjetri, por nga lumturia që ai sjell, sepse, qoftë ajo sa flaka e një qiriu apo sa një pyll i tërë që digjet, në fund mbetet hiri.

Në pamje të parë, hiri është fundi. Ajo që mbetet pasi zjarri është shuar. Vdekja pas jetës, mbetja pas ngjarjes.

Por Petro e bën marrëdhënien më të vështirë. Pa zjarr nuk ka hi. Brenda hirit është dëshmia e flakës. Vdekja dhe jeta nuk mund të ndahen aq lehtë sa do të dëshironte njeriu: hiri është fundi i zjarrit, por edhe prova se zjarri ka qenë.

Prandaj pyetja e poezisë — kush mbijeton? — nuk ka një përgjigje të qetë.

Petro shkruan shpesh sikur jeta duhet jetuar pikërisht sepse hiri është aty. Jo duke harruar vdekjen, por duke e ditur atë. Flaka e qiririt mund të jetë e shkurtër dhe zjarri i pyllit madhështor, por dallimi i përmasës nuk e anulon fundin e tyre të përbashkët.

Kjo është një poezi e ankthit, por jo një poezi e dorëzimit.

Pikërisht këtu shfaqet ajo që më duket karakteristike për Petron: përballë kufirit, ajo intensifikon jetën.

Trupi, erotika, dashuria, shkelja e tabusë, të gjitha ato që herë pas here janë lexuar si provokime të poetes, mund të shihen edhe prej këtej. Ato nuk janë domosdo ikje nga vdekja. Mund të jenë mënyra për të jetuar nën dijen e saj.

Kjo është arsyeja pse Petro mund të jetë njëkohësisht poete e hirit dhe e zjarrit.

Tirania e së tashmes
Por ekziston edhe një lloj tjetër vdekjeje: harrimi.

Letërsitë e vogla kanë një marrëdhënie të çuditshme me kohën. Shpesh jetojnë sikur çdo brez duhet ta zbulojë letërsinë nga fillimi. E tashmja bëhet aq intensive sa e kaluara pushon së qeni bashkëbiseduese dhe shndërrohet në arkiv. Shkrimtari i sotëm sillet sikur para tij nuk ka ndodhur asgjë, ndërsa shkrimtari i djeshëm zhduket sapo pushon së qeni pjesë e aktualitetit.

Këtë e kam quajtur dikur tirania e së tashmes: një e tashme që bëhet totale pikërisht sepse nuk pranon asgjë jashtë vetes.

Rasti i Rita Petros është interesant edhe prej kësaj perspektive.

Një vepër mund të shkaktojë tronditje kur botohet, të debatohet, të gjykohet, të shpallet e guximshme apo e papranueshme — dhe pastaj të zhduket nga leximi. Kjo është një mënyrë tjetër për ta neutralizuar veprën. Nuk ke nevojë më ta ndalosh. Mjafton të mos e lexosh.

Por letërsia e mirë ka një zakon të pakëndshëm: kthehet.

Vrima mund të rilexohet sot jo vetëm si dokument i një kohe kur një grua shkroi gjëra që shoqëria shqiptare nuk ishte mësuar t’i dëgjonte. Nëse do të mbetej vetëm aty, do të kishte kryesisht vlerë historike. Ajo vazhdon të jetë interesante kur pyetjet e saj vazhdojnë të na cenojnë: çfarë është e natyrshme? Ku fillon tabu-ja? Kush e përcakton rendin? Çfarë mbetet kur e çajmë atë? Çfarë bëjmë me ankthin që del prej asaj çarjeje?

Këtu qëndron dallimi ndërmjet skandalit dhe letërsisë.

Skandali i përket çastit.

Letërsia mund të presë.

Mungesa
Në Poema e mungesës, krisja nuk ndodh më kryesisht në kulturë, tabu apo metafizikë. Ajo ka hyrë në jetën e poetes.

Pas humbjes së të dashurit, Petro shkruan një imazh jashtëzakonisht të thjeshtë: sheh çdo mëngjes dy pleq duke ecur dorë për dore dhe ngadalëson hapin, që të mos e parakalojë imazhin që kishte ëndërruar për veten dhe njeriun që humbi.

Këtu nuk nevojitet skandal.

Nuk nevojitet as vrima kozmike.

Dy njerëz ecin.

Një grua tjetër i sheh.

Dhe papritur realiteti, ëndrra, dashuria dhe vdekja gjenden në të njëjtin trotuar.

Mungesa është e çuditshme pikërisht sepse nuk është zbrazëti. Sikur të ishte thjesht boshllëk, ndoshta do të mund të mbushej. Por mungesa ruan formën e asaj që nuk është më. Prandaj ajo prodhon dëshirë.

Këtë Petro e bën edhe më fizikisht në një tjetër poezi, kur vetmia bëhet batanije, merr formën e trupit dhe mbush gjysmën bosh të shtratit.

Është një imazh i fuqishëm pikërisht sepse nuk e zgjidh paradoksin. Gjysma e shtratit është bosh dhe e mbushur njëkohësisht. I dashuri nuk është aty, por forma e mungesës së tij është. Vetmia nuk e zëvendëson të dashurin; ajo merr formën që ai ka lënë.

Nëse Vrima e çante universin me një “infinit pa një”, këtu universi është çarë shumë më konkretisht:

është një shtrat me gjysmën bosh.

Dhe megjithatë jeta vazhdon.

Kjo është arsyeja pse fundi i Poemës së mungesës më duket i rëndësishëm. Petro shkruan: “po tërhiqem...”

Nuk e lexoj këtë si dorëzim. As si shërim në kuptimin e lehtë të fjalës. Njeriu nuk “zgjidh” vdekjen e dikujt që ka dashur.

Mund të mësojë të jetojë me krisjen.

Në këtë kuptim, tërheqja është një lloj pajtimi — jo me humbjen si diçka të mirë apo të drejtë, por me faktin brutal se bota nuk ka detyrim ta ruajë atë që ne duam.

Guxim deri në krisje
Nëse do të kërkoja një vijë që kalon nëpër këto tri momente të poezisë së Rita Petros, nuk do të ishte seksualiteti, provokimi, feminiteti apo rebelimi, megjithëse të gjitha janë aty.

Do të ishte krisja.

Te Vrima, kriset universi i sigurt.

Te Kënga e turmës, kriset e tashmja që mendon se është e vetmja kohë.

Te Poema e mungesës, kriset vetë jeta personale, nga humbja e njeriut që e konfirmonte atë jetë përmes dashurisë.

Por Petro nuk e mbush menjëherë krisjen me një përgjigje.

Kjo më duket pjesa më e rëndësishme.

Njeriu ndërton vazhdimisht sisteme për ta bërë botën të banueshme: religjion, kulturë, familje, dashuri, histori, letërsi. Pastaj realiteti i çan. Ndonjëherë përmes trupit. Ndonjëherë përmes ankthit. Ndonjëherë përmes vdekjes.

Petro ka pasur guximin që në poezinë e saj të mos e fshehë gjithmonë atë çarje.

Dhe ndoshta këtu duhet kërkuar edhe kuptimi më i mirë i epitetit që i është vënë aq shpesh një poeteje si ajo: “e krisur”.

Jo e krisur si diagnozë. As si ekzotizim i artistes që shkel normën.

E krisur sepse ka krisje.

Sepse nuk e merr botën si të përfunduar.

Sepse aty ku ne vendosim një mur, ajo kërkon një vrimë.

Dhe, nganjëherë, përmes saj duken yjet.

Lini një Përgjigje