Policia ka vënë nën hetim për shpërdorim detyre një mjeke dhe drejtoreshën e kopshtit publik në Korçë ku ndodhi helmimi i 6 fëmijëve.
Mjekja, 57 vjeçe, nuk ka njoftuar policinë për paraqitjen e fëmijëve me simptoma të njëjta që vinin nga kopshti. Drejtoresha, 60 vjeçe, është vënë nën hetim për moskontrollimin e ushqimit që të vegjlit kanë konsumuar.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetaset:
E. X., 57 vjeçe, me detyrë mjeke pranë Spitalit Rajonal Korçë, në pavijonin e Pediatrisë;
M. K., 60 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e kopshtit ku qëndronin fëmijët që ishin paraqitur në spital.
Procedimi penal filloi pasi, gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, janë paraqitur në spital 6 fëmijë nga i njëjti kopsht, me simptoma të njëjta gastrointestinale, dhe mjekja nuk ka njoftuar Policinë.
Ndërsa drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin funksional lidhur me kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.
6 fëmijë në qytetin e Korçës dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në një kopsht publik. Sipas burimeve mësohet se fëmijët, të cilit i përkasin grupit të dytë, janë paraqitur me simptoma gastroenterite në spital në të njëjtën ditë. Simptomat kanë qenë të lehta, bark e të vjella dhe vogëlushët kanë dalë nga spitali mëngjesin e së shtunës.
Fëmijët e konsumojnë drekën në kopsht dhe të gjashtë, ditën e premte në drekë kanë ngrënë pilaf. Rastet qenë të njëpasnjëshme dhe janë dërguar në spital pak pas dreke, çka ka nxitur dyshimet e familjarëve për helmim.
Ngjarja nuk është sinjalizuar nga një mjeke e pavijonit të pediatrisë, e cila është vënë nën hetim nga policia për shpërdorim detyre. E njëjta pasojë edhe për drejtoreshën e kopshtit që nuk ka kryer verifikimin dhe kontrollin e ushqimit që kanë ngrënë të vegjlit.
Për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë, të vegjëlve u është marrë gjak për të kryer analizat.
Edhe fëmijët e tjerë kanë konsumuar të njëjtin ushqim, por nuk dihet për raste të tjera.