Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Ka njerëz që harrojnë shpesh ku kanë lënë çelësat. Tani imagjino të kesh një asistent që nuk harron asgjë… dhe madje të kujton edhe detyrat që ti ke harruar se ekzistojnë. Mirë se erdhët në episodin ku inteligjenca artificiale vendos të mos presë më komandat tona, por të fillojë të punojë vetë. Pak si ai kolegu që papritur bëhet super produktiv… dhe të bën të ndihesh në siklet.
OpenAI ka prezantuar Dots, një gjeneratë të re asistentësh me inteligjencë artificiale që nuk funksionojnë si chatbot-i klasik. Në vend që të presin pyetjen tënde, ata mund të punojnë në sfond gjatë gjithë kohës për objektivat që u cakton, të lidhen me mijëra aplikacione dhe të komunikojnë përmes ChatGPT, Slack apo Teams. Madje secilin mund ta emërtosh dhe ta personalizosh sipas dëshirës.
Pra, në teori, ti i thua: “Mbaje nën kontroll këtë projekt”, dhe ai vazhdon punën ndërkohë që ti je duke pirë një kafe. Ose duke pirë kafen e tretë sepse dy të parat nuk bënë efekt. Është ai shoku që nuk të thotë “më shkruaj kur të kesh nevojë”, por shfaqet vetë me zgjidhjen para se ta kuptosh që kishe problem.
Sigurisht, OpenAI thotë se përdoruesi ruan kontrollin dhe vendos rregulla se çfarë mund ose nuk mund të bëjë asistenti. Kjo sepse, ta pranojmë, askush nuk është gati të zgjohet një mëngjes dhe të zbulojë se asistenti i ka planifikuar pushimet, i ka ndërruar dietën dhe i ka rezervuar edhe dentistin “se kishte ardhur koha”.
Një gjë është e sigurt: epoka kur inteligjenca artificiale vetëm përgjigjej po mbyllet. Tani ajo merr vetë iniciativën për të bërë gjëra. Epo le të shpresojmë që, ndryshe nga ne, kur fillon punën të hënën të mos spostojë çdo projekt për të nesërmen.