Pas rastit të gjashtë fëmijëve që u paraqitën në spital me simptoma gastrointestinale, edhe disa fëmijë të tjerë kanë shfaqur simptoma të ngjashme, por nuk janë paraqitur në spital. Sipas prindërve shqetësimet janë shfaqur pas konsumimit të drekës në kopsht, ndërsa disa prej tyre kanë raportuar probleme shëndetësore te fëmijët.
Prindërit shprehen të indinjuar dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, duke kërkuar që të merren masa për verifikimin e situatës dhe të garantohet siguria e fëmijëve.
Lidhur me ngjarjen është proceduar penalisht një mjeke në pavijonin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal Korçë, si dhe drejtoresha e kopshtit ku qëndronin fëmijët. Procedimi penal është regjistruar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Mjekja dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin për të njoftuar autoritetet policore për rastet e paraqitura në spital.
Ndërkohë, drejtoresha e kopshtit nuk ka përmbushur detyrimet funksionale lidhur me kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.













