Spanja mposhti 3-1 Çekinë në shtëpi dhe konsolidoi vendin e parë në Grupin A3 të UEFA Nations League. Suksesi në Oviedo ishte i treti radhazi për “La Roja-n”, e cila vazhdon serinë e jashtëzakonshme prej 41 ndeshjesh pa humbje në 90 minuta, me 31 fitore dhe 10 barazime.
Spanjollët e nisën ndeshjen me ritëm të lartë dhe kaluan në avantazh që në minutën e 6-të. Lamine Yamal realizoi një gol spektakolar me një goditje të bukur nga rreth 18 metra, duke shënuar për të tretën ndeshje radhazi me kombëtaren.
Spanja dominoi pjesën e parë dhe pati disa mundësi për të dyfishuar avantazhin. Portieri çek Antonin Kinsky ndaloi tentativat e Alex Baenas dhe Pedrit, por nuk mundi të bëjë asgjë në minutën e 35-të. Rodri përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me një goditje të saktë e çoi rezultatin në 2-0.
Në pjesën e dytë, trajneri Luis de la Fuente zëvendësoi Yamalin dhe Baenan për t’i ruajtur për ndeshjen e ardhshme ndaj Kroacisë. Çekia, megjithatë, reagoi dhe në minutën e 69-të Jiri Slama shënoi për 2-1, duke rikthyer skuadrën në lojë.
Miqtë patën edhe një mundësi të artë për barazimin, por goli i Ryan Naderit u anulua për faull në aksionin paraprak. Pesë minuta para fundit, Çekia mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë të Ladislav Krejcit.
Me epërsinë numerike, Spanja e kontrolloi sërish ndeshjen dhe në minutat e fundit Mikel Merino shënoi golin e tretë, duke vulosur fitoren 3-1 dhe startin perfekt të Spanjës në Grupin A3.
© SYRI.net