Një aksident i rëndë rrugor është shënuar pak më parë në afërsi të fshatit Çiflig, në hyrje të qytetit të Korçës, ku një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, një punonjës i Policisë Rrugore, i cili sapo kishte përfunduar shërbimin, është përfshirë në aksident teksa udhëtonte me automjetin e tij. Ai ka përplasur një motomjet që drejtohej nga një 60-vjeçar.
Përplasja ka qenë e fortë dhe si pasojë drejtuesi i motomjetit ka humbur jetën në vendngjarje.
I plagosur ka mbetur edhe punonjësi i policisë, i cili është transportuar me urgjencë në Spitalin e Korçës. Mësohet se ai ndodhet në repartin e reanimacionit, nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet procedurale për përcaktimin e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të përplasjes.

