Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz po viziton Kievin, i shoqëruar nga drejtues të kompanive kryesore gjermane të industrisë së mbrojtjes, në një vizitë që synon të ripohojë mbështetjen e Berlinit për Ukrainën, përballë sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj qyteteve dhe infrastrukturës së vendit.
Sipas burimeve zyrtare, Merz pritet të shpallë një paketë të re ndihme që përfshin 1 miliard euro mbështetje ushtarake dhe 350 milionë euro të tjera për riparimin e infrastrukturës energjetike të dëmtuar nga lufta.
Gjatë vizitës pritet të finalizohet edhe një marrëveshje për prodhimin e përbashkët të disa llojeve të dronëve mes Gjermanisë e Ukrainës.
Udhëtova për në Kiev sepse Ukraina ka nevojë për gjithë mbështetjen tonë në javët e ardhshme, deklaroi kancelari gjerman, duke theksuar se forcat ruse vazhdojnë të bombardojnë qytete, godina banimi dhe termocentrale.
Merz paralajmëroi se pasojat e luftës mund të shtrihen përtej kufijve të Ukrainës nëse Rusia nuk ndalet.
Nëse nuk e ndalojmë Rusinë, herët a vonë makineria e saj e luftës do të kthehet kundër nesh. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën.
Në delegacionin gjerman bëjnë pjesë ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche, si dhe drejtues të kompanive Siemens Energy, Hensoldt, Diehl Defence e Quantum Systems, me rol të rëndësishëm në projektet e bashkëpunimit me Ukrainën.
Vizita zhvillohet vetëm pak ditë pasi Zelensky njoftoi se Kievi dhe Berlini janë pranë finalizimit të një marrëveshjeje për zhvillimin dhe prodhimin e përbashkët të dronëve, raketave e sistemeve softuerike të lidhura me to.
Sipas presidentit ukrainas, marrëveshja do të përfshijë edhe armë me rreze veprimi mbi 1 mijë kilometra, të cilat Ukraina mund t’i përdorë për të goditur objektiva të vendosura thellë brenda territorit rus.
Krahas çështjeve të sigurisë e mbrojtjes, me autoritetet ukrainase, Merz pritet të diskutojë edhe përshpejtimin e reformave të kërkuara nga partnerët europianë, sidomos në luftën kundër korrupsionit, një kusht i rëndësishëm në rrugën e afrimit të mëtejshëm të Ukrainës me Bashkimin Europian.