Jetëgjatësia mesatare globale është rikthyer pothuajse në nivelet e regjistruara para pandemisë Covid-19, ndërsa rikuperimi i viteve të jetuara në gjendje të mirë shëndetësore po ecën më ngadalë. Të dhënat e fundit janë publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në raportin vjetor mbi statistikat globale të shëndetit.
Sipas raportit, jetëgjatësia globale arriti në 73.3 vite në vitin 2023, duke iu afruar nivelit prej 73.4 vitesh të regjistruar në vitin 2019, para shpërthimit të pandemisë Covid-19.
Gjatë pandemisë, jetëgjatësia pësoi një rënie të ndjeshme. Në vitin 2021, ajo zbriti në 71.5 vite, përpara se të niste rikuperimin në vitet pasuese.
“Të jetosh më gjatë është një nga sukseset e mëdha të shëndetit publik”, deklaroi Alain Labrique, drejtor i Departamentit të të Dhënave, Shëndetit Digjital, Analitikës dhe Inteligjencës Artificiale në OBSH.
Sipas tij, sfida tashmë është që rritja e jetëgjatësisë të shoqërohet edhe me një jetë më të shëndetshme.
“Sfida tjetër është të sigurohet që këto vite shtesë të jetohen në shëndet të mirë, duke përshtatur sistemet shëndetësore për të përmbushur nevojat në ndryshim të popullatave”, u shpreh Labrique.
Megjithatë, rikuperimi i jetëgjatësisë së shëndetshme ka qenë më i ngadaltë. Në vitin 2023, numri mesatar i viteve të jetuara në gjendje të mirë shëndetësore arriti në 62.8, duke mbetur 0.4 vite nën nivelin e vitit 2019.
Të dhënat e OBSH-së tregojnë gjithashtu ndryshime të rëndësishme mes rajoneve. Në periudhën 2000-2023, Amerika regjistroi rritjet më të mëdha në rrezikun e vdekshmërisë dhe humbjen e viteve të jetës së shëndetshme, ndërsa rajoni i Paqësorit Perëndimor shënoi një rënie të konsiderueshme.
Ndërkohë, një tjetër tendencë që vihet në dukje në raport është rritja e peshës së sëmundjeve jongjitëse në shëndetin global. Sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, diabeti dhe sëmundja e Alzheimerit po përbëjnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të vdekjeve në mbarë botën.
Këto zhvillime, sipas OBSH-së, tregojnë se rritja e jetëgjatësisë nuk mjafton në vetvete, pasi sfida e ardhshme për sistemet shëndetësore është që vitet e fituara të jetës të shoqërohen me më shumë vite në gjendje të mirë shëndetësore.

