“Ti nuk je vetëm”, Rama njofton krijimin e Këshillit Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se ka nisur puna për krijimin e një Këshilli Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe, nismë që sipas tij synon të sjellë një qasje të re të institucioneve ndaj këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Në podcastin e tij “Flasim”, Rama tha se tema e fëmijëve me spektrin autik është veçanërisht e ndjeshme dhe kërkon mbështetje të përshtatur, veçanërisht në sistemin arsimor. Ai theksoi nevojën për një prani dhe trajtim ndryshe gjatë orëve të mësimit, duke përmendur edhe rolin e mësuesve ndihmës.
Sipas kryeministrit, Këshilli i ri do të përfshijë përfaqësues të institucioneve, prindërve dhe mësuesve. Përmes këtij strukture, qeveria synon që vendimmarrja dhe politikat për fëmijët me aftësi ndryshe të marrin në konsideratë edhe përvojën dhe sugjerimet e familjeve dhe profesionistëve që punojnë me ta.
“Qeveria dhe unë personalisht po bëjmë përpjekje për të hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve të institucioneve me fëmijët me aftësi ndryshe dhe familjet e tyre, duke angazhuar pikërisht prindërit që janë në pararojë të kësaj përpjekjeje. Ne duam të bëjmë më të mirën duke krijuar në radhë të parë një Këshill Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe dhe pastaj duke vijuar më tutje përmes udhëheqjes, orientimeve dhe sugjerimeve të këtij Këshilli, që do të ketë në përbërjen e vet përfaqësues të institucioneve, prindërve dhe mësuesve”, tha kryeministri Rama.
Gjatë podcastit, Rama kishte të ftuar Nikon, një student masteri për kanto dhe kitarë, i cili foli edhe për përvojën e tij si person në spektrin e autizmit. Në bisedë u diskutua për sfidat me të cilat përballen fëmijët dhe familjet e tyre, si dhe për rëndësinë e mbështetjes në arsim dhe në jetën e përditshme.
/vizionplus.tv




