AKTUALITET /

Dyshime për enë të palara në kopshtin e Korçës, një nënë kërkon hetim pas shqetësimeve te 11 fëmijë

Gjashtë prej tyre kanë marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërsa pesë janë trajtuar në shtëpi.

Shkruar nga Versus

Dyshime për enë të palara në kopshtin e Korçës,

Njëmbëdhjetë fëmijë të kopshtit nr. 2 në Korçë mësohet se kanë shfaqur simptoma gastrointestinale, duke ngritur dyshime për një helmim të mundshëm.

Gjashtë prej tyre kanë marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërsa pesë janë trajtuar në shtëpi.

Fëmijët i përkasin grupit të dytë të kopshtit, i cili përbëhet nga 27 fëmijë.

Shkaku i simptomave ende nuk është konfirmuar.

Një nënë ka kërkuar hetim të plotë të rastit, duke ngritur dyshime edhe për gjendjen e enëve të kuzhinës.

Sipas saj, kopshti është dezinfektuar në fillim të shtatorit, por enët nuk janë përdorur deri pak ditë më parë, pasi shërbimi i ushqimit nuk kishte nisur për shkak të mungesës së tenderit.

Ajo tregon se ushqimi nisi të shërbehej të enjten, ndërsa djali i saj shfaqi shqetësime të premten në mbrëmje.

Prindi kërkon të verifikohet nëse enët janë pastruar siç duhet përpara përdorimit, pas periudhës që kishin qëndruar të papërdorura.

Prindërit kërkojnë kontrollin e kushteve higjieno-sanitare, ushqimeve të konsumuara dhe pajisjeve të kuzhinës, për të përcaktuar shkakun e shqetësimeve.

Për ngjarjen, Policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj drejtoreshës së kopshtit dhe një mjekeje të Pediatrisë në Spitalin e Korçës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Sipas Policisë, mjekja nuk ka njoftuar autoritetet për paraqitjen e gjashtë fëmijëve me simptoma të ngjashme, ndërsa drejtoresha dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin për kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar prej tyre./Versus.al

Poll