Qeveria ka kundërshtuar projektin e parë të propozuar për zhvillimin turistik të Zvërnecit. Dokumentet e publikuara në “Pasqyrën e Flamingove” tregojnë se plani parashikonte hotele, rezidenca dhe ndërtime deri në 8 kate në një territor me status të mbrojtur.
Pse u kundërshtua projekti?
Statusi i zonës dhe rreziku i ndikimit në mjedis ishin ndër arsyet kryesore që çuan institucionet në kundërshtimin e variantit fillestar.
Dokumentet e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura tregojnë se sipërfaqja ku shtrihej projekti ndodhej brenda Peizazhit të Mbrojtur “Pishë Poro–Nartë” dhe prekte dy monumente natyrore, Lagunën Limopuo dhe Kodrat Molasike të Zvërnecit.
Në këtë territor ndodhen duna, habitate të shpendëve migratorë dhe një biodiversitet i pasur. Institucionet kanë ngritur shqetësimin se ndërtimet mund të ndikonin në habitatet natyrore, të shkaktonin ndotje të ujërave dhe të dëmtonin ekuilibrin e Lagunës së Nartës.
Për këtë arsye, projekti nuk u konsiderua i pranueshëm në formën fillestare dhe u kërkua një vlerësim më i thelluar mjedisor.
Çfarë parashikonte “Zvërnec Peninsula”?
Dokumentet japin edhe përmasat e projektit të parë të propozuar.
“Zvërnec Peninsula” parashikohej të shtrihej në rreth 266 hektarë, ndërsa sipërfaqja totale e ndërtimeve arrinte në rreth 1.7 milionë metra katrorë.
Rreth 771 mijë metra katrorë do të përdoreshin për rezidenca, ndërsa 292 mijë metra katrorë për struktura hoteliere.

Projektuesit kishin parashikuar ndërtesa deri në 8 kate, me lartësi maksimale 39 metra, si edhe hapësira rekreative dhe një marinë.
Sazani, një situatë tjetër
Ndryshe paraqitet situata në Sazan, ku zhvillimi turistik i lidhur me Jared Kushner nuk shtrihet në zonën e mbrojtur tokësore të ishullit.
Megjithatë, edhe ky projekt përballet me kufizime të përcaktuara nga institucionet.
Instituti i Trashëgimisë Kulturore ka kërkuar kryerjen e vëzhgimeve për shkak të potencialit të lartë arkeologjik nën ujë. Në rast se zbulohen gjetje me rëndësi, projekti mund të pësojë ndryshime, ndërsa kostot përkatëse i mbeten investitorit.
Marrëveshja përcakton gjithashtu se nuk do të ketë ndërhyrje në sipërfaqen ujore përreth Sazanit, një pjesë e së cilës ndodhet brenda Parkut Kombëtar Detar Karaburun–Sazan.
Çfarë parashikohet të ndërtohet në Sazan?
Investimi në Sazan parashikohet në një sipërfaqe prej rreth 45 hektarësh.
Plani përfshin struktura turistike, rezidenca, ambiente gastronomike dhe ndërhyrje në zonën e marinës. Zhvillimi është parashikuar të realizohet në tri faza.
Sipas projektit, investimi pritet të krijojë rreth 1 mijë vende pune, ndërsa janë parashikuar edhe rreth 2 mijë e 651 metra katrorë hapësira për stacione plazhi.
Dy projektet, ai i propozuar fillimisht për Zvërnecin dhe zhvillimi i parashikuar në Sazan, vendosen kështu përballë kufizimeve të ndryshme mjedisore dhe të trashëgimisë kulturore.














