Zjarri që ka përfshirë prej disa ditësh zonën e Gjinarit në Elbasan vijon të jetë aktiv, ndërsa situata paraqitet e vështirë për shkak të terrenit të thyer dhe përhapjes së flakëve në disa vatra.
Forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e zjarrit, por terreni i vështirë po pengon ndërhyrjen në të gjitha zonat e prekura. Era dhe bimësia, kryesisht pyjet me pisha, favorizojnë përhapjen e flakëve dhe e bëjnë më të vështirë izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave.
Banorët e zonës thonë se situata është përkeqësuar gjatë ditës dhe kërkojnë ndërhyrje nga ajri përmes helikopterëve ose avionëve zjarrfikës. Sipas tyre, nëse zjarri vijon të përhapet me këtë ritëm, flakët mund t’u afrohen edhe banesave.
Vështirësia për të aksesuar të gjitha zonat e prekura ka kufizuar ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse në terren, duke bërë që disa vatra të mbeten ende aktive.
Banorët kërkojnë që operacioni për shuarjen e zjarrit të mbështetet sa më shpejt nga ajri, me qëllim frenimin e përhapjes së flakëve dhe shmangien e rrezikut për banesat dhe zonat e banuara.
#Gjinar #Elbasan #Zjarri #Zjarre #Zjarrfikësit #Emergjenca #Shqipëri

