Një 75-vjeçare ka humbur jetën pas një aksidenti rrugor të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Rrugën e Dibrës, në Tiranë.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 19:35, kur një 20-vjeçar, me inicialet E. M., duke drejtuar një motomjet, përplasi këmbësoren Sh. M., 75 vjeçe.
Pas përplasjes, e moshuara u transportua për ndihmë mjekësore në spital. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo ndërroi jetë rreth orës 22:40.
Ndërkohë, edhe drejtuesi i motorit mbeti i dëmtuar nga aksidenti dhe po merr trajtim në spital. Sipas Policisë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas aksidentit, Policia ka arrestuar në flagrancë drejtuesin 20-vjeçar, i cili tashmë do të përballet me procedurat ligjore për ngjarjen.
Grupi hetimor po vijon punën për të dokumentuar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.













