Një 31-vjeçar është arrestuar në Elbasan, pasi dyshohet se po transportonte kundrejt pagesës shtatë shtetas të huaj, të cilët dyshohet se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar.
Në pranga përfundoi A. A., 31 vjeç, i cili, sipas Policisë, u kap duke transportuar shtatë shtetas nga vende të treta me një automjet në pronësi të 25-vjeçarit M. K.
Ky i fundit dyshohet se është i përfshirë në të njëjtën veprimtari dhe është shpallur në kërkim nga autoritetet.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe automjeti që dyshohet se është përdorur për transportimin e shtetasve të huaj.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.












