Prej disa ditësh, flakët vijojnë të djegin sipërfaqe në fshatin Gjinar të Elbasanit, ndërsa terreni i vështirë po pengon ndjeshëm ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Vatrat e zjarrit janë përhapur në një zonë të thyer dhe të vështirë për t’u aksesuar nga mjetet. Situata rëndohet edhe nga era dhe bimësia, veçanërisht pishat, të cilat favorizojnë përhapjen e flakëve.
Pavarësisht punës së ekipeve në terren, disa vatra vijojnë të jenë aktive, pasi ndërhyrja nuk mund të kryhet njëkohësisht në të gjitha zonat e prekura.
Përballë situatës së krijuar, banorët kërkojnë ndërhyrjen e mjeteve ajrore për të goditur vatrat që nuk mund të arrihen nga toka dhe për të frenuar përhapjen e zjarrit.
Forcat në terren vijojnë monitorimin e situatës dhe operacionet për shuarjen e flakëve, ndërsa kushtet e terrenit mbeten një prej pengesave kryesore për ndërhyrjen.













