Pesë persona, mes tyre katër gra, kanë humbur jetën në një sulm izraelit ndaj një ndërtese banimi në lagjen Rimal, në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës. Mediat palestineze raportuan për viktimat, ndërsa Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) konfirmuan se kishin kryer sulmin.
Sipas ushtrisë izraelite, objektivi i goditjes ishte Ali al-Amoudi, të cilin IDF e përshkruan si një figurë të lartë të Hamasit në Rripin e Gazës dhe si “krahun e djathtë” të Yahya Sinwar, ish-udhëheqësit të Hamasit në Gaza, i cili u vra nga forcat izraelite në tetor 2024.
Autoritetet izraelite nuk kanë konfirmuar deri tani nëse Ali al-Amoudi ka mbetur i vrarë apo i plagosur nga sulmi.
Një zëdhënës i IDF deklaroi se al-Amoudi ishte i përfshirë në planifikimin e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Sipas ushtrisë izraelite, goditja u urdhërua pasi ai u pa brenda një ndërtese banimi.
Në deklaratën e saj, IDF e akuzoi Hamasin se përdor civilët si “mburoja njerëzore” dhe tha se al-Amoudi ishte një prej zyrtarëve më të lartë të grupit në Rripin e Gazës, i përfshirë në aktivitete terroriste dhe në përpjekjet për rindërtimin e organizatës.
“Ali al-Amoudi është zyrtari më i lartë i Hamasit në Rripin e Gazës dhe është i përfshirë drejtpërdrejt në aktivitete terroriste, si dhe në përpjekjet për rindërtimin e organizatës. Ai u vu në shënjestër me qëllim eliminimin e kërcënimit”, thuhej në deklaratën e ushtrisë izraelite.
Ndërkohë, një zëdhënës i spitalit Al Shifa konfirmoi për AFP se nga sulmi u gjetën pesë viktima, katër gra dhe një burrë.
Sipas Mahmoud Bassal, zëdhënës i Agjencisë së Mbrojtjes Civile në Gaza, ndërtesa u godit nga dy raketa, duke shkaktuar edhe një zjarr në objekt.
#Gaza #Izrael #Hamas #IDF #LuftaNëGaza #Palestinë #LindjaEMesme #Sulme

