E diel, 4 Tetor 2026 Lajme Ora 12:00 dhe Moti deri në 12:20 Në vijim ora 12:20: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Helmimi në kopshtin në Korçë, flet babai i njërit prej fëmijëve: Çfarë na thanë në spital

Gjashtë fëmijë të kopshtit nr. 17 në Korçë janë paraqitur në Pediatrinë e Spitalit Rajonal me simptoma që dyshohet se lidhen me helmim. Pas marrjes së trajtimit mjekësor, fëmijët janë larguar drejt banesave dhe gjendja e tyre shëndetësore raportohet e stabilizuar.

Burime pranë spitalit bëjnë me dije se priten rezultatet e analizave për të përcaktuar shkakun e shqetësimeve. Ndërkohë, edhe fëmijë të tjerë që frekuentojnë të njëjtin kopsht kanë shfaqur simptoma të ngjashme, por janë trajtuar në banesa.

Reklamë

Për rastin ka nisur një hetim, ndërsa autoritetet po verifikojnë nëse simptomat e fëmijëve kanë lidhje me ushqimet e konsumuara në kopsht. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar për shkakun e shqetësimeve shëndetësore.

Prindi i njërit prej fëmijëve, Koço Xexo, ka treguar se simptomat nisën me dhimbje barku dhe më pas u shoqëruan me të vjella. Ai tha se familja e dërgoi fëmijën në urgjencë, ku mori trajtimin e nevojshëm dhe më pas gjendja e tij u përmirësua.

“Ne ishim ata që e morëm fëmijën nga kopshti. Në momentin e parë kishte vetëm pak dhimbje të vogla barku. Më pas fëmija fjeti dhe, kur u ngrit nga gjumi, filluan të vjellat, të cilat nisën të shtoheshin hap pas hapi. Shkuam në urgjencën e spitalit, ku mori trajtimin e nevojshëm.
Për momentin fëmija është mirë, është stabilizuar dhe ka nisur të bëjë rutinën e tij të përditshme. Nuk është rikthyer plotësisht në gjendjen që ka qenë, por është goxha mirë dhe ka pasur përmirësim.

Me sa më thanë në spital, bëhej fjalë për një helmim që mund të kishte ardhur nga ushqimet. Ndoshta mund të ketë ardhur edhe nga ndonjë produkt tjetër, nuk e di saktësisht. Sipas tyre, pjesa kryesore mund të lidhej me ushqimet, ndoshta me pilafin që kishte ngrënë“, u shpreh babai i një prej fëmijëve.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.