Takimi i thirrur nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, me aleatët opozitarë për reformën territoriale është shoqëruar me debate dhe kritika për mënyrën se si është zhvilluar deri tani procesi.
Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, kërkoi një përfshirje më të madhe të partive aleate në diskutimet për hartën e re territoriale, duke pretenduar se ato janë lënë jashtë konsultimeve të deritanishme.
Ndoka: Na mbajtën në terr informativ
Ndoka kritikoi veçanërisht mënyrën se si opozita është përfshirë në fazat e para të punës në komisionet parlamentare.
Sipas tij, partitë aleate nuk kanë pasur informacion të mjaftueshëm mbi procesin dhe nuk janë bërë pjesë e dëgjesave të zhvilluara me mazhorancën.
“Është një gabim themelor që ne morëm pjesë në dy komisionet e rëndësishme që në hapat e parë. Ato dëgjesat dukeshin si muaj mjalti mes opozitës dhe mazhorancës. Nuk patëm informacion si parti aleate, as morëm pjesë në dëgjesa, nuk dinim fare”, deklaroi Ndoka.
Kritika edhe për propozimin me 100 bashki
Përplasjet nuk u ndalën vetëm te mënyra e konsultimit. Ndoka kundërshtoi edhe propozimin e PD-së për një hartë të re territoriale me 100 bashki, duke e konsideruar këtë numër të pamjaftueshëm.
Sipas tij, një reformë funksionale duhet të krijojë më shumë njësi vendore, në mënyrë që komunitetet të kenë përfaqësim më të drejtpërdrejtë.
“Edhe propozimi i PD-së për 100 bashki nuk është eficient, është një numër shumë i vogël. Italia ka rreth 8 mijë komuna, ku qeverisin edhe me 3 mijë banorë. Është më efikase kur ke njësi që zgjidhen direkt nga komuniteti”, tha kreu i demokristianëve.
Ndoka-Berishës: Konsultimi duhet të kishte nisur më herët
Në përfundim, Ndoka i kërkoi Berishës që procesi i konsultimit me partitë aleate të jetë më gjithëpërfshirës dhe të nisë që në fazat e para të diskutimeve.
“Mirë do ishte që këto tryeza të ishin bërë më parë. Duhet bashkëpunim institucional që edhe të na informoni, ne kemi qenë në terr informativ”, i tha ai Berishës.












