Qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës i janë drejtuar sot kutive të votimit në zgjedhjet e përgjithshme, që konsiderohen të rëndësishme edhe për ndikimin që Rusia synon të ushtrojë në vend. Fushata është dominuar nga lideri separatist serb Milorad Dodik, i cili, edhe pse i ndaluar të mbajë funksione publike, ka pasur një rol të dukshëm në procesin zgjedhor.
Procesi i votimit në zgjedhjet e përgjithshme në Bosnjë dhe Hercegovinë po vijon pa incidente të mëdha të sigurisë, por me një pjesëmarrje më të ulët se në zgjedhjet e vitit 2022 dhe me probleme teknike në përdorimin e sistemit të ri elektronik.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (CIK), deri në orën 15:00 kishin votuar 916.269 qytetarë, ose 26.88% e zgjedhësve të regjistruar. Pjesëmarrja ishte më e lartë në Republikën Srpska, me 31.62%, ndërsa në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës arriti në 24.78%. Në Brçko pjesëmarrja ishte 24.62%.
Më herët gjatë ditës, ritmi i votimit ishte më i ngadaltë. Në orën 11:00 pjesëmarrja ishte 11.94%, krahasuar me 15% në të njëjtën orë të zgjedhjeve të vitit 2022. Deri në orën 14:00 ajo ishte rritur në 20.6%.
Këto janë zgjedhjet e para në vend ku përdoren në shkallë të gjerë identifikimi biometrik i votuesve, skanimi i fletëve të votimit dhe transmetimi elektronik i rezultateve të cilat sollën edhe vështirësitë kryesore të ditës.
Koalicioni monitorues "Pod lupom" raportoi se vetëm 52.1% e qendrave të votimit u hapën në kohë, në orën 07:00. Deri në orën 09:30 ishin regjistruar 46 shkelje serioze të procedurave zgjedhore. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se gjysma e qendrave mbetën të mbyllura, pasi shumë prej tyre u hapën me vonesa të shkurtra për shkak të problemeve me pajisjet.
Sipas të njëjtit koalicion, pajisjet për identifikimin e votuesve funksionuan në 99.4% të qendrave të monitoruara, ndërsa skanerët e fletëve të votimit në 99.9%. Ndërprerje teknike u raportuan në rreth 9.8% të pajisjeve të identifikimit dhe në 16% të skanerëve.
Mediat boshnjake raportuan incidente në Tuzla dhe Banoviçi, ndërsa në Bijelinë pati disa nga problemet më të dukshme teknike gjatë paradites. Autoritetet thanë se situatat u zgjidhën shpejt.
Vëzhguesit e OSBE-së deklaruan se dita e zgjedhjeve po zhvillohet qetësisht dhe pa vështirësi të mëdha, ndërsa vlerësimi i plotë do të bëhet pas mbylljes së votimit dhe numërimit të votave.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë janë të regjistruar 3.408.517 votues dhe janë hapur 5.569 qendra votimi. Procesi pritet të mbyllet në orën 19:00 sipas kohës lokale, ndërsa rezultatet e para paraprake priten gjatë mbrëmjes.








Komente
Komento