Kancelari gjerman Friedrich Merz ka mbërritur në Kiev në një vizitë të papritur, në një kohë kur kryeqyteti ukrainas ndodhet nën kërcënimin e sulmeve të reja ajrore ruse.
Pak pas mbërritjes së tij në Kiev, në qytet janë dëgjuar shpërthime. Më herët, autoritetet kishin aktivizuar sirenat e alarmit ajror dhe kishin paralajmëruar për praninë e dronëve rusë në hapësirën ajrore mbi kryeqytet.
Pas mbërritjes, Merz deklaroi se kishte udhëtuar drejt Kievit për t’i shprehur Ukrainës mbështetjen e Gjermanisë në një moment të rëndësishëm të luftës.
“Jam në Kiev sepse Ukraina ka nevojë për të gjithë mbështetjen tonë në javët e ardhshme”, deklaroi kancelari gjerman.
Merz theksoi se mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën do të vazhdojë dhe se këtë mesazh do t’ia përcjellë drejtpërdrejt edhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Do t’i them presidentit Volodymyr Zelensky: Mund të vazhdoni të mbështeteni në ndihmën tonë”, u shpreh ai.
Kancelari gjerman paralajmëroi gjithashtu për rrezikun që paraqet vazhdimi i luftës dhe zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Rusisë. Sipas Merz, nëse Moska nuk ndalet, makineria e saj ushtarake mund të përbëjë kërcënim edhe për vende të tjera në të ardhmen.
Vizita e Merz në Kiev zhvillohet në një moment kur Ukraina vijon të përballet me sulme ajrore ruse dhe përpjekje të vazhdueshme për të goditur objektiva në territorin e saj.


