Pushuesit nuk i ndahen Vlorës, bregdeti i mbushur me turistë edhe në vjeshtë
Edhe pse jemi në muajin tetor, plazhet e Vlorës vijojnë të frekuentohen nga pushues vendas dhe të huaj. Moti tashmë është disi më i freskët krahasuar me muajt e verës, por kjo nuk i ka penguar pushuesit të shijojnë bregdetin, ndërsa disa prej tyre vijojnë edhe të lahen në det. Mes pushuesve që kanë zgjedhur Vlorën në këtë periudhë ka turistë nga Italia dhe Holanda, por edhe qytetarë të ardhur nga zona të tjera të vendit. Ata thonë se pushimet në këtë periudhë kanë avantazhet e tyre. Qyteti është më i qetë, plazhet nuk kanë fluksin e muajve të verës, ndërsa, sipas tyre, edhe deti është më i pastër.
Një tjetër arsye që i bën pushimet jashtë sezonit më tërheqëse janë çmimet. Pushuesit tregojnë se në këtë periudhë ato janë më konkurruese, duke e bërë qëndrimin në Vlorë më ekonomik krahasuar me kulmin e sezonit turistik. Për turistët e huaj, temperaturat e fillimit të tetorit mbeten të përshtatshme për të kaluar kohë në bregdet.
“Unë jam italiane dhe jetoj këtu prej një viti, kështu që është e qartë se më pëlqen të qëndroj këtu dhe më pëlqen deti“, shprehet pushuesja italiane.
“Moti këtu është shumë i mirë. Zakonisht ne udhëtojmë në pranverë dhe në vjeshtë. Përpiqemi ta zgjasim pak verën.”, thot uristi hungarez.
Prania e pushuesve në plazhe edhe gjatë tetorit tregon se për Vlorën sezoni turistik nuk përfundon domosdoshmërisht me muajt e verës.
/vizionplus.tv




