Një ditë pa prezantimit të platformës “Flamingo Mirror”, ku nga dje nisi dhe publikimi i dokumenteve zyrtare për projektet dhe çështjet që kanë “ngritur peshë” shqiptarët, kryeministri Edi Rama na zbulon shifrat e regjistruar brenda 24 orëve.
Dosja e parë e publikuar në platformë, në të cilën ndodhen dokumentet për investimet në Sazan dhe Zvërnec, sipas postimit të Ramës, mësohet se përballur edhe me 122 sulme kibernetike nga 32 adresa të huaja të cilat thuhet se nuk kanë shkaktuar ndonjë dëm.
Në total bëhet me dije se “Flamingo Mirror” ka regjistruar 3,397 kërkime për faqe dhe mbi 127 mijë kërkime, ndërsa shtohet në platformë kanë mbërritur dhe 49 pyetje të reja.
“Ky është vetëm fillimi i një përballjeje transparente mes fakteve të qeverisjes dhe llumit anti-shtet të kanaleve sociale”, shkruan Rama përbri postimit të bërë pasditen e sotme në rrjet.
Në fjalën e mbajtur gjatë prezantimit të djeshëm të “Flamingo Mirror” kryeministri theksoi se "PasqyrAlbania" është rezultat i një nxitjeje të ardhur nga qeveria përmes manifestimit të protestës në fillim të qershorit dhe nga ana tjetër, sipas tij, një domosdoshmëri e një kohe të re kur faktet janë nën presionin e manipulimit.
"Nuk kishte sesi të mos niste me dosjen më të përfolur, atë të Sazan-Zvërnecit. Është një shërbim që do t’i shërbejë të gjithëve. Qytetarët do të mund të shohin çfarë shkruajnë të gjitha dokumentet qeveritare. Në këtë pasqyrë do të vendosim çdo dosje me një rëndësi të veçantë.
Shumë shpejt do të publikojmë dosjen qeveritare të KAYO, një tjetër emër që përflitet në rrugët e kanaleve sociale dhe në hapësirat e medias televizive. Po ashtu, Milot-Balldreni ka qenë temë me trillime dhe gjysmë të vërteta, ku faktet në të gjitha këto raste janë vendosur në presion të madh të një bote që varet gjithnjë e më shumë në atë çfarë thuhet dhe jo çfarë faktohet dhe verifikohet.
Pjesë e PasqyrAlbania do të jetë edhe mundësia për të ndjekur në kohë reale çdo projekt publik të financiar nga taksat e qytetarëve. Po ashtu, në pasqyrën e Flamingos ka edhe një komponent me pyetje dhe përgjigje zyrtare", u shpreh kryeministri Edi Rama.
