Prokuroria e Posaçme (SPAK), ka vendosur pezullimin e kallëzimit të bërë nga Ajshe dhe Muharrem Haklaj ndaj kryedemokratit Sali Berisha duke e akuzuar këtë të fundit si të përfshirë në vrasjet e katër vëllezërve Fatmir, Halil, Shkëlqim dhe Ylli Haklaj gjatë viteve 1998-2000, kohë kur Berisha nuk ishte më president, por kreu i opozitës.
Së bashku me Berishën, Haklajt akuzojnë edhe 15 persona të tjerë. Por mësohet se pas disa veprimeve hetimore, prokurorja e posaçme Elida Kaçkini ka pezulluar hetimet dhe ka dërguar materialet pranë policisë për informacione të tjera dhe hetimeve të mëtejshme për të gjetur prova.
Vendimi është kundërshtuar nga familja e Haklajve. Muharrem Haklaj dhe e bija e tij Aishe Haklaj i janë drejtuar GJKKO me ankim duke kërkuar që hetimet të vazhdojnë për kallëzimin e depozituar në vitin 2021. Në kallëzimin e tyre, Ajshe dhe Muharrem Haklaj akuzojnë ish kryeministrin Sali Berisha se ka urdhëruar vrasjet e katër vëllezërve.
Katër vëllezërit Haklaj u vranë brenda një periudhe prej afro tre vitesh, në një seri atentatesh në Tropojë. I pari ishte Shkëlqim Haklaj, i vrarë më 5 janar 1998 në Qafën e Luzhës. Më 4 gusht 1999 u vra Halil Haklaj, ndërsa vëllai i tij Fatmir, i cili mbeti i plagosur në këtë atentat, u vra tre muaj më vonë, më 4 nëntor 1999, në Bujan. I fundit nga katër vëllezërit ishte Ylli Haklaj, i vrarë më 3 dhjetor 2000 në një atentat me snajper. Vrasjet ndodhën pas vitit të mbrapshtë ‘97 kur në Tropojë kishte nisur një konflikt i armatosur mes Haklajve dhe personave të veshur me pushtet shtetëror. Versus.al

