Një vajzë 12-vjeçare ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri gjatë një incidenti në një ndeshje futbolli për fëmijë në Maryland, SHBA.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Leon Day Park, ku një debat mes dy burrave për një vend parkimi përshkallëzoi dhe përfundoi me përdorimin e armëve të zjarrit.
Sipas autoriteteve, dy burrat që ishin përfshirë në konflikt hapën zjarr ndaj njëri-tjetrit dhe 12-vjeçarja mbeti në mes të shkëmbimit të të shtënave. Vajza u transportua me urgjencë në spital, por ndërroi jetë disa orë më vonë, si pasojë e plagëve të marra.
Komisioneri i Departamentit të Policisë së Baltimores, Richard Worley, tha se dy personat fillimisht ishin përfshirë në një debat dhe më pas përdorën armët.
“Dhe në mes të shkëmbimit të zjarrit, një vajzë 12-vjeçare, e cila me shumë gjasa kishte shkuar aty për të parë futbollin, u qëllua dhe humbi jetën”, deklaroi Worley.
Policia mbërriti në vendngjarje rreth orës 18:15, ku gjeti 12-vjeçaren dhe një grua 25-vjeçare të plagosura me armë zjarri. 25-vjeçarja u dërgua në spital dhe raportohet se ndodhet në gjendje të qëndrueshme.
Nga të shtënat u plagosën gjithashtu dy burra, përkatësisht 23 dhe 28 vjeç. Edhe ata u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësit për të shtënat që përfunduan me vdekjen e 12-vjeçares.
#SHBA #Maryland #Baltimore #NgjarjeE Rëndë #ArmëZjarri #Vrasje #Aksident #Policia

